Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti veprimtarë politik nga SHBA-të

, 10.08.2006




Një delegacion i Degës së LDK-së për Nju-Jork me rrethe, në përbërje: Agim Rexhaj, kryetar, Marjan Cubi dhe Sylë Lajçi, nënkryetarë, në kuadër të takimeve me drejtues të institucioneve të Kosovës dhe të asociacioneve të tjera, vizitoi sot edhe Kuvendin e Kosovës.

Kryetari i Kuvendit, z. Kolë Berisha, paraqiti para tyre ecurinë e zhvillimeve aktuale në Kosovë, procesin e bisedimeve për statusin e Kosovës, vendosmërinë e përfaqësuesve të Kosovës për të mbrojtur dhe argumentuar vullnetin e popullit për pavarësi.

Kryeparlamentari Berisha prezantoi edhe punën që po bëhet në Kuvendin e Kosovës, aktivitetin e deritashëm legjislativ, si dhe prioritetet në të ardhmen, përfshirë edhe rolin e Kuvendit lidhur me statusin final të Kosovës.

Në takim është vlerësuar lartë kultura e komunikimit dhe veprimet unike e të gjithë spektrit politik, pozitës dhe opozitës, lidhur me çështjet madhore siç është statusi i Kosovës.

Zotëri, Rexhaj, në emër të delegacionit shprehu mbështetje të plotë për punën e institucioneve të Kosovës, përkrahje të qëndrimit lidhur me bisedimet në Vjenë si dhe gatishmëri për mbështetje të mëtejme.

Kryeparlamentari Berisha theksoi rolin e rëndësishëm dhe meritat e diasporës kosovare në SHBA dhe në vendet e tjera, si dhe rolin që do të kenë në periudhën pas statusit, duke ndikuar në forcimin e lidhjeve dhe komunikimeve me vende të ndryshme përmes bashkëpunimit ekonomik dhe nxitjes së investimeve në Kosovë. Kryetari i Kuvendit shprehu gatishmërinë për takime të ngjashme me të gjitha subjektet dhe asociacionet tona nga diaspora, në interes të veprimit të organizuar për më shumë mbështetje dhe kujdes ndaj bashkatdhetarëve tanë në SHBA dhe ne vende të tjera.
Kryeparlamentari Berisha  priti veprimtarë politik nga SHBA-të