Lajmet e fundit

Takim i kryeparlamentarit Berisha me shefen e Zyrës Amerikane, Kajdanov

, 29.08.2006




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, bashkë me shefat e grupeve parlamentare dhe kryetarët e komisioneve kishte sot një takim me shefen e Zyrës Amerikane në Kosovë, znj. Tina Kajdanov. Ishte ky një takim i hapur pune, në të cilin gjerësisht u debatuan proceset aktuale që zhvillohen në Kosovë. Vlerësim i pjesëmarrësve ishte se Kosova po kalon nëpër një fazë shumë të rëndësishme politike e ekzistenciale, ndaj edhe përgjegjësia e Kuvendit nuk këto rrjedha është shumë e lartë. Vëmendja e të pranishmëve u përqendrua edhe në çështjen e realizimit të standardeve dhe integrimit të minoriteteve në të gjitha proceset që zhvillohen në Kosovë. Të vetëdijshëm për këtë përgjegjësi, të gjithë mekanizmat që veprojnë në Kuvend, kanë shtuar shkallën e angazhimeve në mënyrë që të gjitha detyrat që shtrohen para tyre , t’ i kryejnë me efikasitet duke synuar gjithnjë për zgjidhje institucionale dhe funksionale, zgjidhje që nuk do të ishin zgjidhje të çastit por të së ardhmes.

Synim i përhershëm duhet të jetë ndërtimi i shoqërisë demokratike për të gjithë , shoqëri të standardeve evropiane, shoqëri që gjeneron qetësi në Rajon dhe më gjerë . Këto aspekte të kundrimeve vështrohen edhe në dritën e mbledhjes së ardhshme të Kuvendit të Kosovës, në të cilën do të raportohet për rrjedhat e procesit negociator.

Realizimit të këtyre synimeve po i ndihmon edhe atmosfera shume e favorshme , e cila është krijuar pas ndryshimeve në kreun e Kuvendit. Në të gjitha këto rrjedha kontributi i Zyrës Amerikane , i Qeverisë dhe i institucioneve amerikane që veprojnë në Kosovë është i pakompensueshëm. Duke shprehur mirënjohje të thellë për këtë , diskutuesit shprehën besimin se ky bashkëpunim do të thellohet edhe më.

Znj. Tina Kajdanov tha se roli i deputetëve është shumë i rëndësishëm, sepse jeni përfaqësues të popullit, duke pasur para sysh se është fjala për një Kuvend multietnik, pra organ që përfaqëson një spektër të gjerë të popullsisë së Kosovës. Kuvendi ka rol jetik në realizimin e standardeve. Në këtë lëmë janë arritur rezultate të rëndësishme, por ky angazhim duhet të vazhdojë edhe më tutje. Tërë puna që bëhet, ndërkaq, zhvillohet në rrethana ndërlikuara , ndaj duke ditur këtë , puna dhe rezultatet e këtij Kuvendi fitojnë edhe më shumë peshë. Nga Kuvendi kërkohet të sjellë vendime shumë të rëndësishme, ndërsa kjo shkon përtej përkatësisë partiake. Ekipi Negociator ka bërë një punë shumë të mirë, por juve ju takon të njiheni me Procesin Negociator. Qeveria Amerikane, tha më tej Kajdanov, është e përkushtuar ndaj Kosovës. Është manifestuar kjo në forma të ndryshme, edhe me asistencë. Fuqimisht përkrahim procesin e Vjenës, duke u përpjekur që ky proces të sendërtohet para përfundimit të këtij viti.

Në këtë takim u fol gjerësisht edhe për punën e komisioneve si dhe për nevojën e përmirësimit të mëtejmë të hapësirës së punës për deputetët, veçanërisht kur është fjala për sigurimin e zyrave për një punë sa më normale.

Takim i kryeparlamentarit Berisha me shefen e Zyrës Amerikane, Kajdanov