Lajmet e fundit
Delegacioni i KKAFPK-së u prit në Kabinetin e kryeparlamentarit Berisha
, 29.08.2006
Një delegacion katëranëtarësh i Këshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të të Pagjeturve të Kosovës (KKAFPK), i kryesuar nga Haki Kasumi, kryetar, u prit sot në Kabinetin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, nga Ramë Manaj, këshilltar i lartë ligjor e politik dhe Behxhet Haliti, këshilltar e shef kabineti i kryeparlamentarit Berisha.
Anëtarët e këtij delegacioni të KKAFPK-së kërkuan ndihmë institucionale dhe përkrahje më të madhe në zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe thanë se janë të pakënaqur me ato që janë duke bërë institucionet vendore sa i përket kësaj çështjeje shumë të rëndësishme për Kosovën.
Nga Kuvendi i Kosovës, delegacioni i KKAFPK-së kërkoi që të materializohen dy dokumente për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, të aprovuara nga vetë Kuvendi: Rezoluta dhe Deklarata. Delegacioni po ashtu kërkoi që të iniciohet procedura për shpalljen e 27 Prillit – Ditë e të Pagjeturve të Kosovës.
Këshilltari Manaj i premtoi delegacionit të KKAFPK-së se shqetësimit e këtij Këshilli do t’ia përcjell kryeparlamentarit Berisha dhe se do të bëhen përpjekje për zgjidhjen e këtyre kërkesave të KKAFPK-së.