Lajmet e fundit
Nga punimet e Seancës plenare të Kuvendit të Kosovës
, 01.09.2006
Raportimi i Grupit Negociator për ecurinë e bisedimeve për statusin e Kosovës ishte pikë e vetme e rendit të ditës së seancës së sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, e drejtuar nga Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit. Me këtë rast anëtarët e Grupit Negociator: presidenti i Kosovës dhe shef i delegacionit, prof.dr. Fatmir Sejdiu, kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, shefi i PDK-së, Hashim Thaçi dhe shefi i partisë reformiste ORA, Veton Surroi, folën gjerësisht lidhur me fazat e deritashme të bisedimeve. Pas kësaj paraqitjeje filloi debati, por në ndërkohë shefat e grupeve parlamentare dolën me propozimin që seanca të ndërpritet dhe të vazhdojë të martën, më 5 shtator. Propozimi kishte parasysh faktin që deputetëve nuk iu kishin shpërndarë me kohë materialet, ndaj edhe nuk kishin pasur kohë t’ i lexonin ato, si dhe për shkak të çështjeve të ngritura gjatë debatit nga ana e diskutuesve të deritashëm.