Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha u takua me shefin e UNMIK-ut, Joakim Ryker

, 23.08.2006




Thellimi i bashkëpunimit të mëtejmë ndërmjet UNMIK-ut dhe Kuvendit të Kosovës në dritën e proceseve aktuale që zhvillohen në Kosovë, sidomos rreth përcaktimit të statusit të Kosovës ishte temë thelbësore e takimit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, z. Berisha me shefin e ri të UNMIK-ut, z. Joakim Ryker, takim ky që kishte njëherësh edhe karakter përgëzimi për detyrën e re të z. Ryker.

Duke shprehur admirim për punën e kryeparlamentarit Berisha, z. Ryker theksoi se rëndësia e Kuvendit të Kosovës në këto momente është kruciale, sidomos kur është fjala për plotësimin e standardeve. Plotësimi i standardeve dhe angazhimet e UNMIK-ut dhe Kuvendi të Kosovës do të kenë reflektim pozitiv edhe në punën e kryenegocoatorit Ahtisari, sidomos kur është fjala për Raportin e tij që do të jepet kah mesi i shtatorit.

Në takim u tha se duhet të përgatitemi për periudhën pas statusit final të Kosovës e deri te funksionalizimi i atij statusi. Çështja e tranzicionit duhet të fillojë me një dialog të thelluar në mes të gjitha IPVQ-ve dhe UNMIK-ut, sepse ka plot çështje që duhet të diskutohen se si të realizohen, përkatësisht si do të transferohet baza ligjore nga UNMIK-u te institucionet kosovare.

Kryeparlamentari Berisha shprehu gatishmërinë për dialog dhe diskutime të tilla, si dhe kënaqësinë që dalëngadalë proceset aktuale në Kosovë do të përmbyllen me sukses. Bashkëpunimi i ndërsjellë, ndërkaq, do të mundësojë edhe përballimin e pengesave.

Kryeparlamentari Berisha theksoi se Kosova duhet të ketë sovranitetin , integritetin territorial dhe politik, me një prezencë të lehtë civile ndërkombëtare, me prezencën e NATO-s, si dhe me ulëse të garantuar në OKB.

Në vijim kryeparlamentari Berisha tha se Kosova patjetër duhet të qeverisë secilën pjesë të territorit të saj. S’ kemi kurrfarë qëllimi të pengojmë investimet nga jashtë, pra as nga Serbia, por gjithë kjo duhet të shkojë nëpërmjet marrëveshjeve dhe pëlqimit të institucioneve të Kosovës. Në këtë vështrim, z. Ryker tha se duhet respektuar disa vija të kuqe, se ndihmat nga jashtë duhet të jenë plotësisht transparente dhe të menaxhohen nga mekanizmat kosovarë.