Lajmet e fundit

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës

, 25.08.2006




Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit, përcaktoi rendin e ditës për seancën plenare të 31 gushtit të këtij viti dhe mori vendim që edhe më 1 shtator të mbahet një seancë e veçantë ku do të raportojë para deputetëve Grupi i Unitetit, kërkesë kjo e Grupit Parlamentar të LDK-së dhe e Grupit Parlamentar të AAK-së.

Në seancën e 31 gushtit, do të jenë në shqyrtim të parë: Projektligji për Adaptimin e Konventës së Këshillit të Evropës mbi krijimin në fushën e Kibernetikës, Projektligji për kontrollimin e cilësisë për produktet e caktuara gjatë importit dhe eksportit, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për energjinë 2004/08, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për rregullatorin e energjisë 2004/09, Projektligji për mbrojtjen e bimëve, Projektligji për mbrojtjen e varieteteve të bimëve, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kadastër 2003/05, si dhe Projektligji për shpronësim me interes publik.

Lidhur me mocionin në Ligjin për përdorimin e gjuhëve u vendos të formohet Paneli për procedim të mëtejmë, sepse nuk u arrit konsensus i anëtarëve të Kryesisë për ta dërguar çështjen drejtpërdrejtë në seancë plenare për vendosje, ndërkaq futja në rend dite e shqyrtimit të Projektligjit për trashëgiminë kulturore u la për një mbledhje tjetër të Kryesisë meqë ndërkohë priten raportet nga komisionet.

Edhe seanca e 31 gushtit fillimin e punës ia kushton pyetjeve për ministrat, ku deputetët do të kenë rast të shtrojnë pyetje dhe të marrin përgjigje për punën e Qeverisë së Kosovës, kurse më pastaj do të kalohet në shqyrtimin e projektligjeve.

Duke shqyrtuar kërkesat e arritura, Kryesia e Kuvendit vendosi që, në bazë të kërkesës së Grupit Parlamentar të PDK-së, ta ftojë në interpelancë kryeministrin e Kosovës, Agim Çeku, lidhur me shkresën e Kryesisë së LDK-së dërguar Kryeministrit Çeku.

Për kërkesën e Grupit Parlamentar të ORA-s, për mbajtjen e seancës urgjente për gjendjen e shëndetësisë në Kosovë, Kryesia e Kuvendit vendosi që Grupi Parlamentar i ORA-s ta riformulojë kërkesën dhe pastaj ajo të shqyrtohet ne Kryesi.

Duke shqyrtuar propozimin e Grupit Parlamentar të LDK-së dhe të Grupit Parlamentar të AAK-së për raportimin e Grupit të Unitetit lidhur me bisedimet për statusin e Kosovës, Kryesia e Kuvendit të Kosovës vendosi që të thirret një seancë e veçantë më datën 1 shtator, ku anëtarët e Grupit të Unitetit do të raportojnë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës për rrjedhën e deritashme të negociatave për statusin e Kosovës.

U shqyrtua edhe përfundimi i Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale lidhur me mocionin e GP “Për Integrime” dhe u tha se ai duhet të procedohet tutje, ndërsa shqyrtimi i raportit të Komisionit për Gatishmëri dhe Emergjencë me rastin e përfundimit të Projektit për trajnimin e Komisionit për marrjen e kompetencave të kontrollit parlamentar në fushën e sigurisë u la të bëhet në një mbledhje tjetër të Kryesisë së Kuvendit.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës shqyrtoi edhe disa kërkesa për kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit për deputetë të Kuvendit.