Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Berisha priti një delegacion nga Norvegjia
, 05.09.2006
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, kishte sot një takim me një delegacion të institucioneve ta larta të Norvegjisë, kryesisht nga lëmi i botimit dhe përkthimit të teksteve shkollore në përbërje : Toril Langlete (Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Norvegjisë), Sverre Johan Kvale (shef i Zyrës Norvegjeze në Prishtinë), Astrid Megard Sollid (udhëheqëse e projektit të Venstres Oppysningsforbund), Erik Solvberg (shkrimtar) dhe Ingvild Ronning Radwan (gazetar i gazetës “Tronder-Avisa”) . Delegacionin e shoqëronte dhe drejtori i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, prof. dr. Sali Bashota.
Drejtuesit e delegacionit e njoftuan kryeparlamentarin Berisha me aktivitetet e deritashme sa i përket furnizimit të shkollave në Kosovë me tituj specifik të karakterit pedagogjik, duke theksuar se tekstet e autorëve të njohur norvegjezë po mirëpriten në Kosovë. Në këtë frymë ata premtuan se kjo veprimtari do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Kryeparlamentari Berisha falënderoi delegacionin për këtë ndihmë që po i ofrohet arsimit e kulturës së vendit tonë dhe njëkohësisht shprehu mirënjohje për kontributin e Norvegjisë që i ka dhënë Kosovës para, gjatë dhe pas luftës. Në vijim kreu i legjislativit prezantoi edhe një histori të shkurtër të vështirësive që ka pasur Kosova në rrugën e dijes dhe edukimit për shkak të presioneve dhe të censurës. Në dritën e kushteve të reja të krijuara tani në vend, kryeparlamentari Berisha theksoi rëndësinë që ka bashkëpunimi me vendet evropiane në këtë fushë shumë të rëndësishme, e në këtë kuadër edhe me Norvegjinë. Kosova ka synim jetik integrimet evropiane, ndaj bashkëpunimi dhe komunikimi kulturor edhe në këto forma që zhvillohen ndihmojnë Kosovën në ecjen drejt Evropës, pohoi kryeparlamentari Berisha.