Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti një grup parlamentarësh gjermanë

, 06.09.2006




Kryetari i Kuvendit të Kosovës , Kolë Berisha, priti një delegacion të parlamentarëve gjermanë nga Landi i Saksonisë së Ulët, i cili kryesohej nga deputeti Jyrgen Gansauer. Në takim merrnin pjesë edhe anëtarët e Kryesisë së Kuvendit Sabri Hamiti e Naim Maloku.

Kryetari Berisha ka paraqitur një pasqyrë të zhvillimeve aktuale në Kuvendin e Kosovës si dhe ka falënderuar parlamentarët gjermanë për bashkëpunim aktiv me Kuvendin e Kosovës. Kryeparlamentari Berisha theksoi se krahas përqendrimit maksimal në çështjen e statusit të Kosovës, Kuvendi dhe institucionet e Kosovës po mendojnë intensivisht edhe për periudhën e pas statusit në të cilën Gjermania shpresojmë se do të ketë rol aktiv në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Deputetët nga Saksonia u njoftuan edhe për ofertën gjeneroze që u është bërë minoriteteve të Kosovës . Kryetari Kuvendit Berisha dhe anëtarët e Kryesisë Sabri Hamiti e Naim Maloku duke u përgjigjur në pyetjet e deputetëve gjermanë kanë shpjeguar përcaktimin për pavarësinë e Kosovës si përcaktim i shumicës së popullit të Kosovës dhe si interes për stabilitetin në rajon. Opsionet e tjera , siç është ai i ndarjes, janë të papranueshme sepse janë të paqëndrueshme madje edhe të rrezikshme për stabilitetin e rajonit.

Kryesuesi i delegacionit nga Saksonia, Gansauer është shprehur optimist se bisedimet e Vjenës do të sjellin një zgjidhje të duhur, një zgjidhje që mundëson shtet funksional të Kosovës. Zgjidhja e duhur e cila mendojmë se do të ishte pavarësia, që prodhon stabilitet e siguri, të cilat janë kusht për investime të jashtme në Kosovë, tha Gansauer. Duke vlerësuar lart ofertën për minoritetet , deputeti Gansauer theksoi se përtej kësaj oferte nuk mund të shkohet, sepse do të rrezikohej funksionaliteti institucional. Ai bëri të ditur se gjatë qëndrimit në Komunën e Shtërpcës ka deklaruar se problemet ekonomike të kësaj komune janë pasojë e statusit ende të pazgjidhur të Kosovës.

Në këtë takim u bisedua për forma e detaje konkrete të bashkëpunimit ndërmjet parlamentarëve të Kosovës dhe parlamentarëve gjermanë. Kjo është vizita e dytë brenda këtij viti që delegacioni nga Saksonia e Ulët i bën Parlamentit të Kosovës.
Kryeparlamentari Berisha priti një grup parlamentarësh gjermanë