Lajmet e fundit

Komunikatë për media e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, z.Kolë Berisha, me rastin e përvjetorit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA

, 10.09.2006




Para pesë vjetësh , më 11 shtator 2001, civilizimi modern përjetoi një tronditje të thellë. Sulmet terroriste në Nju - Jork morën jetën e mbi 3000 njerëzve të pafajshëm nga 90 vende të ndryshme të botës.

Në përkujtim të 11 shtatorit, kujtojmë me pietet e respekt të thellë viktimat e sulmeve terroriste në Nju- Jork .Ne sot nderojmë viktimat e pafajshme, por edhe shëmbëlltyrën heroike te zjarrfikësve , policëve dhe personelit tjetër të cilët ranë heroikisht në krye të detyrës .

Duke sakrifikuar veten ata i dhanë botës modelin e luftës për njeriun, pavarësisht nga cila pjesë e globit është.

Kosova ka përjetuar thellë në shpirt atë ngjarje, edhe si dhimbje për viktimat e pafajshme, por edhe si sulm terrorist kundër lirisë njerëzore dhe vlerave civilizuese . Edhe në këtë përvjetor shprehim solidaritetin e thellë të institucioneve dhe të popullit të Kosovës për udhëheqjen SHBA-ve dhe gatishmërinë për të bërë çdo veprim që pengon veprimtarinë terroriste në botë .

Jemi të bindur se SHBA-të, duke qenë kampion i demokracisë, do t’ i prijnë edhe më tej botës së civilizuar në luftë kundër terrorizmit . Terrorizmi global është një kërcënim serioz për botën, prandaj shpresojmë se kujtimi për këtë datë e për këtë ngjarje , në çdo 11 shtator , në të ardhmen do të bashkojë e do të mobilizojë të gjithë njerëzit e të gjitha vendet për veprim të koordinuar ndaj të gjitha formave të terrorizmit dhe ndaj çdo tendence për të rrezikuar lirinë e popujve.

Prishtinë , më 10 shtator 2006