Lajmet e fundit

Seanca e Kuvendit të Kosovës do të mbahet më 14 shtator

, 11.09.2006




Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit, ka përcaktuar rendin e ditës për Seancën plenare të 14 shtatorit 2006.

Në rendin e ditës së kësaj seance do të jetë: shqyrtimi i Raportit të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit për punën njëvjeçare, 2005, për të cilën çështje do të raportojë edhe kryesuesi i ART-së, ndërkaq në mbledhjen e Kryesisë është kërkuar që të ketë edhe debat për punën e ART-së, duke përfshirë edhe sukseset dhe dështimet e këtij agjencioni.

Në po këtë seancë do të shqyrtohet Raporti i Komisionit për gatishmëri dhe emergjencë, pas përfundimit të Projektit të trajnimit për marrjen e kompetencave të kontrollit parlamentar në fushën e sigurisë, pastaj do të shqyrtohet Rekomandimi i Panelit të veçantë lidhur me mocionin në Ligjin për përdorimin e gjuhëve, si dhe Rekomandimi i Komisionit Legjislativ për emërimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve.

Anëtarëve të Kryesisë sot u është shpërndarë Raporti i auditimit të jashtëm për Kuvendin e Kosovës (pasi që organet e hetuesisë kanë lejuar që ai të bëhet publik), kurse kryeparlamentari Berisha ka dhënë sqarimet e nevojshme për ecurinë e këtij auditimi.

Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, e ka njoftuar Kryesinë për hapat e ndërmarrë për implementim të Vendimit të Kuvendit lidhur me objektin “Grmija”, kurse pas shoshitjes së çështjes është marrë vendim që të shpallet tenderi për ekspertizë të punimeve në Qendrën Administrative-protkollare dhe për kontrollin deri në përfundim të objektit.

Është ngritur, ndërkaq edhe një herë çështja e veturës së blerë për ish kreun e Kuvendit, si dhe është propozuar të ndërmerren masa për përgjegjësit e disa veprimeve fiktive të këtij transaksioni.

Megjithëse kryeministri Çeku i ishte përgjigjur pozitivisht kërkesë së Grupit parlamentar të PDK-së (lidhur me letrën e nënkryetarit të LDK-së, z. Kryeziu, për autorizime të veçanta të zv.kryeministrit Haziri për performancën e ministrave nga radhët e LDK-së), interpelanca e kryeministrit shtyhet për seancën vijuese (me gjasë, më 21 shtator), sepse me 14 shtator kryeministri Çeku do të jetë në Nju Jork.

Me kërkesë të kryetarit të Komisionit për Buxhet dhe Financa, z. Naser Osmani, shtyhet për një seancë tjetër edhe shqyrtimi i Projektbuxhetit të Kuvendit të Kosovës për vitin 2007.

Seanca e Kuvendit të Kosovës do të mbahet më 14 shtator