Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti konsullin e Spanjës në Beograd, z. Miguel Angel Vecino

, 12.09.2006




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, u takua me konsullin për çështje të Kosovës në Ambasadën e Spanjës në Beograd, z. Miguel Angel Vecino. Me këtë rast kryeparlamentari Berisha e njoftoi diplomatin spanjoll me punën që bëhet në Parlament dhe me proceset e gjithmbarshme që zhvillohen në Kosovë, duke theksuar se procesi i bisedimeve për statusin e Kosovës po vazhdon. Kosova është e përqendruar më tërë vëmendjen në çështjen madhore të statusit. Populli i Kosovës është i përcaktuar për pavarësi, me çka do të mundësohej krijimi i një shteti të qytetarëve të barabartë, pavarësisht nga përkatësia etnike. Njëkohësisht, në Kosovë bëhen plane edhe për periudhën pas statusit, sidomos në intensifikimin e zhvillimit ekonomik të saj. Në këtë vështrim, zgjidhja e statusit të Kosovës është ë rëndësishme edhe për tërheqjen e investimeve nga bota në Kosovë. Duke folur për ofertën e Kosovës ndaj minoriteteve , kreu i legjislativit të Kosovës tha se me këtë ofertë Kosova synon realizimin e plotë të të drejtave të tyre në Parlament, sistemin gjyqësor,në arsim, pushtetin lokal dhe në të gjithë lëmenjtë tjerë të jetës.

Z. Miguel Angel Vecino vlerësoi lart përcaktimin e Kosovës drejt së ardhmes e duke lënë prapa të kaluarën. Ndërkaq, duke folur rreth çështjes së decentralizimit , Vecino tha se përvojat e Spanjës dhe specifikat e saj në kultivimin e bashkëjetesës ndërmjet shumë komuniteteve janë shembull i mirë, që prodhon stabiliteti. Ai tregoi gatishmëri që Parlamentit dhe institucioneve tjera në Kosovë t’ iu ndihmohet në bartjen e këtyre përvojave në fushën e ligjeve edhe në këtë aspekt. Diplomati spanjoll në vijim pohoi se është i impresionuar me vitalitetin e popullit të Kosovës.

Kjo , tha ai, është një pasuri e pamohueshme. Në këtë frymë, ai u shpreh optimist se duke qenë gjeografikisht pjesë e Evropës , Kosova do të ketë perspektivë të padiskutueshme drejt Unionit Evropian.

Bashkëbiseduesit treguan gatishmëri për thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar ndërmjet Spanjës dhe Kosovës.

Kryeparlamentari Berisha priti konsullin e Spanjës në Beograd, z. Miguel Angel Vecino