Lajmet e fundit
Nga punimet e Seancës Plenare të Kuvendit të Kosovës
, 14.09.2006
Deputetët e Kuvendit të Kosovës në Seancën Plenare të drejtuar nga Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit, kanë mbështetur kërkesën e Komisionit Parlamentar për Gatishmëri dhe Emergjencë për kontroll parlamentar mbi segmentet e sigurisë dhe kanë votuar që ky komision të riemërohet Komision për Siguri i Kuvendit të Kosovës. Raportin e Komisionit për Gatishmëri dhe Emergjencë lidhur me këtë çështje e ka prezantuar anëtari i Kryesisë, njëherësh dhe kryetar i këtij komisioni, Naim Maloku, i cili ka theksuar se me krijimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme shtrohet nevoja e ushtrimit të kontrollit parlamentar në lëmin e sigurisë. Ai me këtë rast ka vënë në pah përgatitjet e komisionit në fjalë për ndryshimin e fushëveprimit, duke theksuar trajnimet e anëtarëve të komisionit brenda dhe jashtë vendit.
Duke i dhënë mbështetje kontrollit parlamentar për çështje të sigurisë, shefat e grupeve parlamentare kanë kërkuar që sa më parë të krijohet edhe Shërbimi Inteligjent i Kosovës, ndaj të cilit komisioni gjithashtu do të ushtrojë kontroll parlamentar.
Deputetët, ndërkaq, nuk e kanë mbështetur Rekomandimin e Panelit të veçantë lidhur me mocionin në Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Paneli i përbërë nga përfaqësuesi i PSSP-së, nga ai i Qeverisë dhe përfaqësuesi i Kuvendit, i cili ka paraqitur mocionin për nenin 2.3 të këtij ligji, ka kërkuar që në komunat e banuara me një bashkësi, gjuha amtare e së cilës nuk është gjuhë zyrtare dhe e cila përbën së paku pesë për qind të popullsisë të asaj komune, ta ketë statusin e gjuhës zyrtare në atë komunë. Propozimi i panelit, i cili nuk ka marrë votat e nevojshme të deputetëve, kishte të bënte me zyrtarizmin gjuhës turke në Komunën e Prizrenit.
Me propozim të grupit Parlamentar të LDK-së shtyhet për seancën e ardhshme shqyrtimi i Raporti për punën njëvjeçare të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit, kurse me propozimin e Grupit Paralamentar të PDK-së shtyhet dhe shqyrtimi i Rekomandimit të Komisionit për Çështje Juridike, Legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese për emërimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve.