Lajmet e fundit

Udhëheqja e Kuvendit priti ministren e Punëve të Jashtme të Greqisë, Bakoyannis

, 14.09.2006




Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kolë Berisha, bashkë me anëtarët e Kryesisë, ka pritur sot një delegacion grek të kryesuar nga Ministrja e Punëve të Jashtme të Greqisë, Theodora Bakoyannis.

Në takim është biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe rajon në kontekstin e përcaktimit të statusit të Kosovës dhe për rolin që mund të luaj Greqia për të ardhmen e Kosovës.

Fillimisht kryeparlamentari Berisha ka prezantuar të arriturat demokratike të Kosovës, duke theksuar sidomos forcimin e sigurisë, lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe punën e ngulmtë të institucioneve për kthimin e të zhvendosurve, si dhe krijimin e kushteve për zhvillim të papenguar të serbëve në Kosovë dhe të mekanizmave për të mos u mbivotuar. Ai, ndërkaq, ka vënë në pah vullnetin e popullit të Kosovës për pavarësi, si kushtin elementar për zhvillim dhe përparim. Në këtë dritë Berisha ka spikatur konstruktivitetin e palës kosovare në bisedimet e Vjenës dhe bashkëpunimin me ekipin e kryenegociatorit Ahtisari.

Ministrja e Punëve të Jashtme të Greqisë, Theodora Bakoyannis, duke theksuar rëndësinë që i jep vendi i saj zgjidhjes së çështjes së Kosovës, ka përmendur se ndodhet në Kosovë për herë të dytë brenda gjashtë muajve. Ajo ka vlerësuar fazën e rëndësishme të përcaktimit të statusit, në të cilën ndodhet Kosova; ka vlerësuar bisedimet e deritashme të Vjenës dhe ka shfaqur bindjen se delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë mund të afrohen edhe më dhe të gjejnë një zgjidhje të pranueshme për të dy palët. Bakoyannis, duke theksuar të qenët e Greqisë anëtare e BE-së dhe kryesuese e radhës e KS të OKB-së, ka shprehur vullnetin e mirë të vendit të saj për t’i ndihmuar bisedimet për statusin, madje ka deklaruar se nuk humbet gjë nëse bisedimit shtyhen edhe për dy muaj, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje që reflekton paqe e stabilitet në Kosovë dhe në rajon.

Duke folur për bashkëpunimin e ardhshëm ndërmjet të dy vendeve, kryediplomatja greke ka theksuar sidomos bashkëpunimin ekonomik dhe investimet greke në Kosovë. Ajo madje ka pohuar se këtë vjeshtë do të vije në Kosovë një delegacion i lartë ekonomik i Greqisë dhe se ajo do t’i inkurajojë afaristët grekë që të investojnë në Kosovë.

Anëtari i Kryesisë, Sabri Hamiti, duke përkujtuar afërsinë gjeografike dhe historike të grekëve dhe shqiptarëve, demokracinë greke dhe traditat e përbashkëta të popujve të lashtë ballkanikë, ka shprehur bindjen se Greqia si vend anëtar i BE-së dhe kryesues i radhës i KS të OKB-së, do ta ndihmojë Kosovën, për sa i përket statusit dhe zhvillimit demokratik të vendit. Ai, ndërkaq ka kërkuar edhe mbështetje në zhvillimin ekonomik dhe lëvizje të lirë të qytetarëve në të dy vendet.

Anëtari tjetër i Kryesisë, Xhavit Haliti, ka theksuar disponimin negativ (në të kaluarën) të qytetarëve të Kosovës për animin e Greqisë në konfliktin e Kosovës. Ai, ndërkaq, ka vlerësuar lartë angazhimin e KFOR-it grek në Kosovë dhe ka lavdëruar punën e Zyrës Greke në Prishtinë. Haliti është shprehur i bindur se tashmë janë tejkaluar të gjitha moskuptimet ndërmjet popujve tanë.

Bashkëbiseduesit janë pajtuar për rëndësinë e paqes dhe të stabilitetit të Kosovës dhe të rajonit, ndërkaq kanë vlerësuar shumë të rëndësishme qenien shumëkulturore të Kosovës dhe pjesëmarrjen e serbëve në institucionet e vendit.

Udhëheqja e Kuvendit priti ministren e Punëve të Jashtme të Greqisë, Bakoyannis