Lajmet e fundit

Lobi i Grave të Evropës Juglindore i shkruanAhtisarit

, 18.09.2006




Në një takim të Lobit të Grave të Evropës Juglindore për Paqe, Drejtësi dhe Siguri, të mbajtur në Vjenë nga data 9 deri më 11 shtator, në të cilën ka marrë pjesë edhe deputetja Nekibe Kelmendi, është biseduar për çështjen e Kosovës dhe për procesin negociator për çështjen e statusit, në përfundim të të cilit është miratuar një deklaratë, përmbajtja e së cilës, në formë letre i është dërguar edhe kryenegociatorit Ahtisari.

Lobi i grave të Evropës Juglindore kërkon që të njihet vullneti i popullit shumicë të Kosovës për pavarësi, me sovranitet të plotë në tërë territorin e vendit; garantimi i plotë i të drejtave të minoriteteve, sipas standardeve ndërkombëtare; që decentralizimi të bëhet në harmoni me Konventën Evropiane për pushtetin lokal, duke përjashtuar decentralizimin mbi parimet etnike, si dhe të eliminohet çfarëdo praktike segregacioniste në lëmin e arsimit, të shëndetësisë, të policisë, të drejtësisë dhe të administratës publike, në emër të kinse sigurisë për minoritetet.

Gratë lobiste do të organizojnë gjatë kësaj jave vizita nëpër enklavat serbe, për të inkurajuar pjesëmarrjen e serbëve në institucionet e Kosovës. Ato synojnë të përçojnë një mesazh se me mbetjen e tyre në Kosovë, do të gëzojnë të gjitha të drejtat, sipas konventave ndërkombëtare.

Në këtë delegacion të Lobit të Grave do të jenë Sonja Biserko (nga Serbia), deputetja e Kroacisë, Gordana Gabol, deputetja e Kuvendit të Kosovës, Nekibe Kelmedi, si dhe përfaqësuese nga Maqedonia, Mali i Zi, Bosne e Hecegovina dhe nga Shqipëria