Lajmet e fundit
Delegacioni parlamentar i Kosovës u kthye nga Sllovenia
, 19.09.2006
Delegacioni i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga kryeparlamentari Kolë Berisha, u kthye sot nga vizita dyditëshe në Slloveni, e organizuar dhe e mbështetur nga OSBE-ja.
Në të mbërritur në Aeroportin e Prishtinës, Berisha u ka deklaruar gazetarëve se në takimet që ai bashkë me anëtarët e Kryesisë ka pasur me kryetarin e Kuvendit Nacional të Sllovenisë, France Cukjati, me kryetarin e Këshillit për Politikë të Jashtme, Jozhef Jerovshek, me zëvendësministrin Bozho Cerar e me funksionarë të tjerë slloven, ka pasur bisedime për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet të dy vendeve, në të cilat është konfirmuar bashkëpunimi dhe miqësia e ndërsjellë.
Me të gjithë bashkëbiseduesit gjetëm edhe një përkrahje të mirë për çështjen e statusit, ka theksuar Brisha.
Në pyetjen e një gazetari lidhur me deklaratën e tij në Slloveni se në rast të mos arritjes së pavarësisë deri në fund të vitit, mund të ketë revolta në Kosovë, deklaratë e cila ka ngjalluar komente tek krerët serbë, Berisha është përgjigjur se deklarata e tij është reale. Nëse populli i Kosovës nuk realizon aspiratat e veta, revoltat janë të pritshme dhe të arsyeshme ka thënë kreu i legjislativit, i cili është shprehur optimist se pavarësia do të ndodhë.
Delegacioni parlamentar i Kosovës sot është pritur nga shefja e Divizionit për marrëdhënie ndërkombëtare, protokoll dhe përkthim, znj. Tanja Pandev, me të cilën është biseduar për mënyrën e punës dhe strukturën e Parlamentit të Sllovenisë. Është biseduar gjithashtu për funksionimin e Komisionit për bashkëpunim ndërkombëtar, për procedurat, caktimin e delegacioneve për vizitat jashtë vendit e tj.
Në takim është konstatuar se Kuvendi i Kosovës, si institucion relativisht i ri, ka nevojë për mbështetje në këta sektorë të funksionimit dhe për këmbim përvojash me parlamente të vendeve demokratike.