Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti shefin e Zyrës së Rusisë në Prishtinë, Sergej Bazdnikin

, 20.09.2006




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, ka pritur sot në një takim lamtumirës shefin e Zyrës së Rusisë në Prishtinë, z. Sergej Bazdnikin, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin e deritashëm ndërmjet Rusisë dhe Kosovës, për kontekstin në të cilat po zhvillohen bisedimet e Vjenës për statusin, si dhe për rolin që mund të luajë Rusia për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe për paqe e stabilitet në rajon.

Diplomati rus, Bazdnikin, është shprehur i kënaqur që gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë janë vënë themelet e bashkëpunimit ndërmjet vendit të tij dhe Kosovës, si dhe është shprehur optimist se pasuesi i tij në Zyrën ruse në Prishtinë do të bëjë edhe më shumë për forcimin e marrëdhënieve të mira. Duke e vlerësuar punën e Kuvendit të Kosovës dhe të kryeparlamentarit Berisha, Bazdnikin ka theksuar se nuk është e lehtë që në këtë kohë të proceseve të rëndësishme të jesh në krye të legjislativit të vendit.

Kryeparlamentari Berisha e ka falënderuar diplomatin rus për punën e suksesshme në Prishtinë dhe sidomos ka vlerësuar gatishmërinë e tij për ndihmë të përhershme për Kuvendin e Kosovës. Ai është shprehur i bindur se Bazdnikin edhe pas largimit nga Prishtina do të jetë një mik i mirë i vendit tonë.

Pas përfundimit të takimit Bazdnikin u ka deklaruar gazetarëve se Rusia e përkrah stabilitetin e Kosovës e të rajonit dhe se qëndrimin e saj për një zgjidhje gjerësisht të pranueshme e shpreh qartas në Grupin e Kontaktit.

Kryeparlamentari Berisha  priti shefin e Zyrës së Rusisë në Prishtinë,  Sergej Bazdnikin