Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Berisha priti zëvendëskryeadministratorin Stiven Shuk

, 20.09.2006




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, kishte sot një takim me zëvendëskryeadministratorin Stiven Shuk. Në këtë takim u fol për rrjedhat aktuale  në Kosovë, por vëmendja e bashkëbiseduesve u përqendrua sidomos në rastin e shpërthimit  në Klinë, me ç’rast u plagosën rëndë e lehtë katër qytetarë të Klinës, të përkatësisë nacionale serbe. Kryeparlamentari Berisha e zëvendësi i shefit të UNMIK-ut dënuan  fuqishëm këtë akt të rëndë,i cili në këtë moment të zhvillimeve  në Kosovë, në këtë kohë kur  për Kosovën flitet gjerësisht në OKB, dërgon mesazh të keq. Si i këtillë  ky akt  dëmton imazhin e Kosovës dhe ka reflektime negative në proceset që zhvillohen në vend. Zëvendëskryeadministratori Stiven Shuk gjykoi shpërthimin në Klinë  , duke theksuar se ky akt  paraqet brengosje serioze. Ai kërkoi  që anëtarët e Grupit të Unitetit të jenë më aktiv, përkatësisht të dalin  në terren, në komuna  dhe t’ ua shpjegojnë  qytetarëve   proceset aktuale  që zhvillohen në Kosovë.

Duke dënuar  shpërthimin në Klinë , kryeparlamentari Berisha  në prononcimin para mediave theksoi se duhet të përpiqemi që gjendjen ta mbajmë nën kontroll, në mënyrë që incidente të këtilla , të mos përsëriten. Është për të ardhur keq, theksoi në vazhdim Berisha, që ky rast ndodh pikërisht në Klinë, e cila  për nga rezultatet që ka arritur në kthimin e serbëve dhe përgjithësisht në marrëdhëniet ndëretnike, ishte një nga shembujt më të mirë në Kosovë. Por, qe, kjo i pengonte dikujt, tha ai.

Në vijim kreu i legjislativit të Kosovës  foli edhe lidhur me shtrembërimin e një deklarate të tij  nga vizita  e këto ditshme në Lubjanë, duke sqaruar se deklarata e tij  për revoltë të qytetarëve  në rast të zvarritjes së  zgjidhjes së statusit të Kosovës, përkatësisht si   një shqetësim për tensione të brendshme në Kosovë, që objektivisht  mund të shfaqen  për shkak të  faktit se  moszgjidhja e statusit të Kosovës  po bllokon  zgjidhjen e problemeve  ekonomike e sociale të qytetarëve, nuk është kërcënim  ndaj askujt, pra as ndaj Serbisë.

Kryeparlamentari Berisha priti zëvendëskryeadministratorin Stiven Shuk