Lajmet e fundit

Nga punimet e Seancës Plenare të Kuvendit të Kosovës

, 21.09.2006




Në Seancën Plenare të Kuvendit të Kosovës, të drejtuar nga Kolë Berisha, kryetar i Kuvendit, sipas kërkesë së Grupit parlamentar të PDK-së ka paraqitur interpelancën e tij kryeministri i Kosovës, Agim Çeku (lidhur me letrën e nënkryetarit të LDK-së, z. Kryeziu, për autorizime të veçanta të zv.kryeministrit Haziri për performancën e ministrave nga radhët e LDK-së). Paraprakisht shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Jakup Krasniqi, ka paraqitur para deputetëve arsyet e kërkesës për interpelancë, ndërkaq kryeministri Çeku është shprehur se funksionin e kreut të Qeverisë e ushtron me kompetenca të plota dhe se çështja e letrës së Kryesisë së LDK-së kishte të bënte me marrëveshje të mëhershme ndërmjet të partnerëve të koalicionit qeverisës.

Po në seancën e sotme Kuvendi ka miratuar listën e kandidatëve për gjyqtarë dhe prokurorë, sipas Rekomandimit të Komisionit për Çështje Juridike, Legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese.

Pas vërejtjeve të bëra nga Grupi i Kontaktit dhe mekanizma të tjerë ndërkombëtarë, për plotësimin e mangët të standardeve për minoritetet, Seanca ka rishqyrtuar Rekomandimin e Panelit të veçantë lidhur me mocionin në Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Duke e miratuar atë edhe gjuha turke shpallet gjuhë zyrtare në Prizren.

Me propozimin e anëtarit të Kryesisë, Sabri Hamiti, dhe me mbështetjen e shefave të grupeve parlamentare, Seanca plenare ka miratuar një deklaratë me të cilën dënohen shpërthimet e fundit në Kosovë, duke i konsideruar ato akte dhune dhe terrori që rrezikojnë jetën e njerëzve dhe krijojnë pasiguri në vend, si dhe prishin pamjen e Kosovës dhe e dëmtojnë rëndë procesin e pavarësimit të Kosovës.

Me propozimin e anëtarit tjetër të Kryesisë, Xhavit Haliti, është vendosur, ndërkaq, që në seancën e ardhshme të debatohet për çështjen e sigurisë në Kosovë, në të cilën do të raportojë Ministri i Punëve të Brendshme, Fatmir Rexhepi.

Nga punimet e Seancës Plenare të Kuvendit të Kosovës