Lajmet e fundit

Komisioni për Bashkëpunim Ndërkombëtar shqyrtoi praninë ndërkombëtare në Kosovë pas statusit

, 22.09.2006




Komisioni për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Integrim Euro-Atlantik, në mbledhjen e drejtuar nga Sabri Hamiti, kryetar i komisionit, ka shqyrtuar sot çështjen e pranisë ndërkombëtare në Kosovë pas statusit, kurse për t’u sqaruar më mirë për çështjen ka ftuar të dërguarin special të Solanës për përgatitjen e Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Torbjorn Solhstrom.

Për një prani të lehtë ndërkombëtare në Kosovë

imisht Hamiti ka shprehur qëndrimin e pranueshëm nga institucionet dhe populli i Kosovës për një prani të lehtë ndërkombëtare në Kosovë edhe pas përcaktimit të statusit dhe ka shtruar një varg pyetjesh për cilësinë, kapacitetin dhe kohëzgjatjen e Misionit të BE-së në Kosovë, duke insistuar që një mision i tillë të bëhet në marrëveshje me institucionet e vendit, në mënyrë që të perceptohet mirë edhe nga populli i Kosovës.

Misionii kufizuar në kompetenca dhe në kohë

I dërguari special i kryediplomatit evropian për përgatitjen e Misionit të BE-së në Kosovë, Torbjorn Solhstrom, ka sqaruar se prania e ndërkombëtare në Kosovën e passtatusit do të jetë civile dhe ushtarake. Sa i përket pranisë civile, Solhstrom ka thënë se Misioni i ardhshëm i BE-së do të jetë i kufizuar në kompetenca dhe në kohë dhe se ai nuk do të jetë substitut i UNMIK-ut. Ai është shprehur i prerë se BE-ja nuk dëshiron ta administrojë Kosovën, por ta ndihmojë atë në rrugën e zhvillimit dhe të përparimit drejt anëtarësimit në BE dhe se këtë do ta bëjë në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, sidomos me SHBA-të.

Do të mbështen reformat strukturore 

Misioni do ta ketë zyrën ndërkombëtare-civile, ka thënë përfaqësuesi i Solanës në Kosovë dhe do të fokusohet në mbështetjen e reformave strukturore në Kosovë (siç është vepruar në Maqedoni dhe Kroaci) dhe që institucionet e Kosovës të ndihmohen të merren me sfidat specifike të vendit. Për shkak të përvojës së paktë të institucioneve dhe mosbesimit ndëretnik që mbretëron në Kosovë, Misioni do të ketë autorizime të mbikëqyrë realizimin e decentralizimit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore, fushën e sundimit të ligjit dhe çështjet e sigurisë, madje edhe të intervenojë në emërimin e kuadrove.

Mbështetje më të madhe për zhvillimin e përshpejtuar ekonomik

Anëtarët e Komisionit kanë qenë shumë aktiv në këtë takim dhe me pyetjet dhe sugjerimet e tyre kanë kontribuuar për një qasje shumë realiste për Misionin e BE-së në Kosovë. Ata kanë kërkuar mbështetje më të madhe për zhvillimin e përshpejtuar ekonomik të Kosovës, asistencë më të sofistikuar teknike, në funksion të aftësimit të kuadrit vëndës, rishikimin në intervale kohore të këtij misioni, raportet e koekzistimit për një kohë të Misiont të BE-së dhe të UNMIK-ut etj.

Bashkëpunim me BE-në dhe me mekanizmat financiarë ndërkombëtarë

Solhstom është përgjigjur se shumëçka do të varët nga cilësia e statusit të Kosovës, por është shprehur i bindur se sidoqoftë Kosova duhet të ketë bashkëpunim me BE-në dhe me mekanizmat financiarë ndërkombëtarë, se duhet të mbahet një konferencë donatorësh për aktivizimin e resurseve ekonomike të Kosovës. Ai ka pohuar se Kosova gradualisht duhet t’i plotësojë kushtet e Kopenhagës për anëtarësim në BE. Duke sqaruar, ndërkaq, për raportet me UNMIK-un, në fazën tranzitore, para se ai ta përmbyllë misionin në Kosovë, Solhstrom ka thënë se atëherë shumica e kompetencave të UNMIK-ut do t’u kalohen institucioneve të vendit, kurse disa sosh Misionit të BE-së në Kosovë.

Anëtarët e Komisionit për Bashkëpunim Ndërkombëtar i kanë vlerësuar të rëndësishme takimet e tilla dhe kanë pohuar se çfarëdo marrëveshje lidhur me Kosovën duhet ta marrë mbështetjen e Kuvendit të Kosovës.

Komisioni për Bashkëpunim Ndërkombëtar shqyrtoi praninë ndërkombëtare në Kosovë pas statusit