Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Berisha priti kardinalin e Uashingtonit, Theodore McCarrick
, 26.09.2006
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, kishte sot një takim me kardinalin e Uashingtonit, Theodore McCarrick, i cili njëherësh është edhe president i organizatës humanitare, Shërbimi Katolik i Ndihmave- CRS. McCarrick shoqërohej edhe nga arqipeshkvi Zef Gashi. Në fillim të takimit kryeparlamentari Berisha falënderoi z. McCarrick dhe drejtuesit e CRS-së për ndihmat që i kanë dhënë Kosovës para dhe pas lufte. Z. Berisha pastaj paraqiti një pasqyrë të zhvillimeve aktuale në Kosovë, duke u ndalur edhe në punët që bëhen në Kuvendin e Kosovës. Në këtë vështrim ai foli edhe për orientimet drejt së ardhmes së Kosovës.
Z. Theodore McCarrick u interesua të dijë se në cilat fusha mund të ndihmojë edhe më tutje CRS-ja, duke theksuar se ekziston një respekt i veçantë për Kosovën dhe njerëzit e saj. Në këtë frymë ai tha se gjithnjë lutemi që negociatat për Kosovën të sjellin si fryt një zgjidhje sa më të shpejtë dhe sa më të pranueshme. Në vijim McCarrick foli edhe për një projekt të kësaj organizate që ka të bëjë me ofrimin e ndihmave për pjesëtarët romë, hashkalinj dhe egjiptian në Kosovë.
Bashkëbiseduesit vlerësuan lart rëndësinë e miqësisë së sinqertë ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, si dhe meritat që ka në këtë kuadër ish-Presidenti i Kosovës, dr Ibrahim Rugova.