Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Berisha priti zëvendësdrejtoren e NDI-së për Evropë Lindore dhe Qendrore, Catherine Messina-Pajiq
, 27.09.2006
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, priti sot zëvendësdrejtoren e Institutit Nacional Demokratik (NDI) për Evropë Lindore dhe Qendrore, znj. Catherine Messina-Pajiq, e cila shoqërohej nga drejtues të Zyrës së NDI-së në Prishtinë. Në takim është biseduar për bashkëpunimin e deritashëm të NDI-së me Kuvendin e Kosovës, për rezultatet e arritura dhe për bashkëpunimin në të ardhmen.
Kryeparlamentari Berisha, duke vlerësuar lart bashkëpunimin me Institutin Nacional Demokratike, është shprehur se sukseset e Kuvendit të Kosovës, në një masë të madhe, janë rezultat edhe i përkrahjes bujare të ekspertëve NDI-së për e legjislativin e vendit.
Puna që bëhet këtu është model i mirë edhe për parlamente të tjera të rajonit ka thënë zëvendësdrejtorja e NDI-së për Evropë Lindore dhe Qendrore, znj. Catherine Messina-Pajiq, e cila ka vlerësuar rolin personal të kryeparlamentarit Berisha në mbarëvajtjen e punëve në Kuvend. Ajo është shprehur se shpeshherë nuk kuptohet mirë roli i parlamentit për proceset demokratike dhe për kontrollin e Qeverisë.
Të dy bashkëbiseduesit kanë konfirmuar gatishmërinë për të vazhduar bashkëpunimin e frytshëm, duke përcaktuar fushat, në të cilat ekspertët e NDI-së më me sukses mund ta ndihmojnë Kuvendin. Në këtë vështrim zëvendësdrejtorja e NDI-së ka pohuar se së shpejti do të angazhohet këtu një ekspert për çështje të legjislacionit.