Lajmet e fundit
Berisha priti shefin e Zyrës së Rumanisë në Prishtinë, Daniel Banu
, 02.10.2006
Procesi nëpër të cilin po kalon Kosova në rrugën drejt statusit dhe forcimi i bashkëpunimit ndërparlamentar, kanë qenë temat kryesore të takimit të sotëm të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, me shefin e Zyrës së Rumanisë në Prishtinë, z. Daniel Banu.
Kryeparlamentari Berisha ka vënë në spikamë aspiratat e Kosovës për pavarësi dhe është shprehur i bindur se Kosova e pavarur nuk do të jetë kërcënim për asnjë vend të rajonit. Përkundrtazi, shteti i ri i Kosovës do të jetë faktor paqeje dhe stabiliteti për rajonin dhe më gjerë, sepse, ka thënë Berisha, Kosova do të jetë vend demokratik dhe laik, i cili do të garantojë të drejta të plota për të gjithë qytetarët e saj, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike dhe fetare.
Shefi i Zyrës së Rumanisë në Prishtinë, Daniel Banu, ka shprehur interesimin e vendit të tij për zhvillimet pozitive në Kosovë dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet të dy vendeve.
Të dy bashkëbiseduesit janë pajtuar për nevojën e bashkëpunimit ndërparlamentar. Është pohuar se Rumania është rast i mirë i bashkëpunimit për përvojat e saj të parlamentarizmit, por edhe për faktin se nga një janari i vitit 2007 ajo do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian.
Në takim është thënë gjithashtu se bashkëpunimit i japin krahë edhe lidhjet e mira historike dhe mentaliteti i ngjashëm i të dy popujve.