Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Krasniqi priti kryetarin e Parlamentit të Hungarisë, László KÖVÉR
, 18.01.2012
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot kryetarin e Kuvendit Kombëtar të Hungarisë, z. László KÖVÉR, i cili vjen për vizitë zyrtare në Kosovë në krye të një delegacioni nga ky vend mik.
Duke i uruar mirëseardhje në Kosovë homologut të tij hungarez, KÖVÉR, kryeparlamentari Krasniqi ka përkujtuar marrëdhëniet e mira historike ndërmjet dy vendeve, të cilat është shprehur i bindur se do të përtërihen dhe forcohen. Ai ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Hungarisë për Kosovën, sidomos që nga koha e kryesimit të BE-së, këtu e një vit më parë, si dhe politikën e saj konsistente për zgjerimin e BE-së.
Krasniqi është shprehur optimist se marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve dhe parlamenteve do të zgjerohen edhe tek institucionet e tjera dhe do të shtrihet edhe në lëmenj të tjerë së jetës, si në ekonomi, arsim, kulturë etj. Ai ka kërkuar nga homologu i tij hungarez që vendi ti tij ta mbështesë Kosovën në procesin liberalizimit të vizave dhe të integrimeve euro-atlantike, duke ndikuar edhe tek pesë vendet e BE-së që ta njohin Kosovën si parakusht për marrëdhënie kontraktuale të vendit tonë me BE-në.
Krasniqi në takim ka dhënë sqarime dhe për punën e legjislativit të vendit, për marrëdhëniet me Parlamentin Evropian, me vendet e BE-së dhe me vendet e rajonit.
Duke e falënderuar kryeparlamentarin Krasniqi për ftesën dhe për mundësinë që i ka dhënë për të vizituar për herë të parë Kosovën, kryetari i Kuvendit Kombëtar të Hungarisë, z. László KÖVÉR, ka përkujtuar tri takimet e tij të mëparshme me kreun e Kuvendit të Kosovës, të cilat kanë vënë themelet e miqësisë dhe kanë hapur mundësi të gjera të bashkëpunimit, në interes reciprok, ndërmjet dy vendeve.
Ai e ka bërë të qartë politikën e Hungarisë, gjatë kryesimit të BE-së, për domosdoshmërinë e zgjerimit të BE-së, duke e anëtarësuar Kosovën edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, dhe duke u ndjerë krenar që ka arritur ta realizojë anëtarësimin e Kroacisë në këtë Union. Kryeparlamentari hungarez është shprehur optimist se edhe Projekti i Binjakëzimit të Kuvendit Kombëtar të Hungarisë me Kuvendin e Kosovës ( i financuar nga BE dhe i menaxhuar nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë) që do të promovohet sot, do ta mbështesë profesionalisht legjislativin e Kosovës , në rrugën e ngritjes së kapaciteteve dhe të integrimeve.
Institucionet e Hungarisë do të punojnë shumë që integrimet evropiane të mos hiqen nga agjenda e BE-së, me gjithë problemet e mëdha, me të cilat aktualisht ballafaqohet Unioni, ka thënë KÖVÉR, i bindur se kësisoj i ndihmohet Kosovës dhe qytetarëve të saj, të cilët e meritojnë integrimet euroatlantike dhe një jetë më të mirë.