Lajmet e fundit
Vazhdimi i mbledhjes së Kuvendit
, 11.05.2012
Në vazhdimin e mbledhjes së Kuvendit të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, Grupi Parlamentar i PDK-së paraqiti propozimin për rishqyrtim lidhur me rekomandimet nga debati i mbledhjes së djeshme për personat e pagjetur.
Me këtë rast, Adem Grabovci, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, duke paraqitur mocionin, kërkoi nga deputetët që dy palë rekomandimet e dala nga debati i djeshëm të harmonizohen me qëllim që të nxirret një dokument unik për këtë çështje, duke kërkuar që kjo kërkesë të mirëpritet nga deputetët.
Ismet Beqiri (LDK), Visar Ymeri (VV) dhe Kymete Bajraktari (AAK), duke folur në emër të grupeve parlamentare të cilat përfaqësojnë ata, theksuan se kjo çështje nuk mund të rikthehet për rishqyrtim dhe në rast se rikthehet në votim, ata do ta lëshojnë sallën dhe nuk do të jenë pjesë votimit.
Ndërsa, Myzejene Selmani (AKR), Sasha Milosavljeviq (SLS) dhe Albert Kinolli (6+) ishin në përkrahje të propozimit të PDK-së.
Pasi nënkryetari i Kuvendit e hodhi për votim këtë propozim, deputetët nga radhët e opozitës e braktisën sallën dhe në pamundësi për punë të mëtejmë mbledhja vazhdon punimet ditën e martë, nga ora 10:00.