Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

, 02.06.2010




Shqyrtimi i Raportit financiar të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit(ART), shqyrtimi i Memorandumit të Mirëkuptimit në mes të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave (MEF) dhe Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale(KPMM) për shfrytëzimin e të hyrave vetanake të KPMM-së, ishin temat që u diskutuan sot në mbledhjen e Komisioni për Buxhet dhe Financa të kryesuar nga Gani Koci, kryetar i komisionit. Po ashtu, komisioni shqyrtoi edhe Projektligjin për Miniera dhe Minerale dhe kërkesën buxhetore të Kuvendit të Kosovës lidhur me qarkoren e parë buxhetore 2010/01.

Në takim ishte i pranishëm edhe drejtori i bordit të ART-së, Ekrem Hoxha, i cili ofroi një pasqyrë të punës së deritashme, sfidat dhe të arriturat e ART-së.

Në lidhje me raportin e ART-së, anëtarët e komisionit ngritën një varg çështjesh dhe shqetësimesh. Me theks të veçantë ata u interesuan për operatorët ilegal të telefonisë mobile në Kosovë.

Përkitazi me këtë kryetari i ART-së theksoi: ” Në Kosovë kanë qenë duke operuar 26 qendra të telefonisë ilegale, mirëpo me një aksion të ndërmarrë nga ART-ja më 23 dhe 24 prill të këtij viti, nga ato kanë mbetur 12, ndërsa pritet që edhe operatorëve të tjerë ilegal t’u ndalohet veprimtaria që janë duke ushtruar”, theksoi Hoxha. Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit miratuan raportin e ART-së, dhe rekomanduan që të diskutohet edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Në vijim të mbledhjes, komisioni përkrahu nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit në mes të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave (MEF) dhe Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) për shfrytëzimin e të hyrave vetanake të KPMM-së. Me këtë rast komisioni i rekomandoi MEF-it, që memorandumi i nënshkruar të implementohet sa më parë.

Duke kërkuar sqarime shtesë nga Komisioni për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion i Kuvendit të Kosovës në lidhje me Projektligjin për Miniera dhe Minerale, komisioni për Buxhet dhe Financa e përkrahu këtë Projektligj.

Ndërkaq, arsyeshmërinë e kërkesës buxhetore të Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me qarkoren e parë buxhetore 2010/11, e paraqiti Sekretari i përgjithshëm i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi. Në lidhje me këtë sekretari arsyetoi se: “ kërkesat buxhetore të prezantuara në qarkoren e parë janë të mbështetura në planin e veprimit, dhe atë strategjik të zhvillimit të Kuvendit të Kosovës. Këto dokumente janë miratuar në seancë plenare dhe të njëjtat prodhojnë efekte juridike që duhet t’i zbatojmë.” Pas diskutimeve, komisioni vendosi që në lidhje me këto kërkesa të zhvillojë edhe një dëgjim në mbledhjen e parë të ardhshme në komision.
Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa