Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Integrime Evropiane

, 09.06.2010




Komisioni për Integrime Evropiane ka mbajtur sot dëgjim publik lidhur me përmbushjen e sfidave të dala nga Raporti i Progresit për Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në të cilën morën pjesë përfaqësues të OJQ-ve.

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Zylfije Hundozi fillimisht sqaroi se Komisioni për Integrime Evropiane dhe Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, kanë hartuar një plan të përbashkët për mbikëqyrjen e punës së Qeverisë, sa i përket përmbushjes së sfidave që kanë dalë nga Raporti i Progresit.

Gjatë këtij takimi u vlerësua se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë nuk ka shumë sfida të identifikuara në raportin e KE-së. Sipas anëtarëve të komisionit janë vetëm katër sosh të identifikuara nga dy komisionet parlamentare. Mirëpo, u tha se këto janë sfida, të cilat po përsëriten që nga viti 2009 dhe se ministria në fjalë nuk i ka kushtuar shumë vëmendje kërkesave të parashtruara nga KE-ja.

Nuk ka mbrojtje ligjore për fëmijët me aftësi të kufizuar, vetëm 10 për qind e fëmijëve me nevoja të veçanta e vijojnë arsimin fillor. Ka mungesë të librave shkollorë për nivelin e mesëm, në gjuhën serbe, turke dhe gorane. Sistemi arsimor i kosovarëve nuk ofron programe të përshtatura për komunitetin rom, ashkalinj, goran, kroat dhe malazez. Ndërsa çasja e komunitetit rom, ashkalinj dhe egjiptian, në shërbimet publike esenciale është ende i kufizuar. Po ashtu analfabetizmi në vend akoma mbetet dukuri shqetësuese në vend, ishin disa nga sfidat që janë përmendur nga anëtarët e komisionit gjatë këtij takimi, për të cilat u përgjigj ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj.

Ai tha se MASHT-i programin e vitit 2008 dhe 2009 e ka hartuar në përputhje të plotë me sfidat që kanë dalë në Raportin e Progresit, dhe çdo aktivitet që është planifikuar, ka ndodhë në përputhje të plotë me Raportin e Progresit, gjë e cila vazhdon edhe për vitin 2009. “Kemi qenë të fokusuar që ta kemi një sistem arsimor gjithëpërfshirës dhe cilësor. Këtu përfshihen edhe personat me aftësi të veçanta. Gjatë vitit 2009 kemi marrë disa masa që kjo situatë të përmirësohet. Kemi hartuar një plan të veprimit, i cili synon të adresojë në mënyrë të veçantë personat me aftësi të veçanta. Me komunën e Prishtinës kemi planifikuar të ndërtojmë një qendër burimore, e cila përgatit një pjesë të nxënësve që të integrohen në klasë të rregullta. Në Prishtinë dhe në disa qytete kemi krijuar klasë të veçanta apo brenda klasave të rregullta kemi bërë përpjekje që t’i integrojmë nxënësit me aftësi të veçanta. Po ashtu e kemi rritur numrin e mësimdhënësve krahasuar me vitet paraprake dhe trajnimi i tyre vazhdon tutje”, tha ministri Hoxhaj.

Sa i përket mungesës së librave për nxënësit serbë, Hoxhaj theksoi se bazuar në pakon e Ahtisarit është paraparë që Ministria e Arsimit, Kuvendi i Kosovës dhe ICO-ja të formojnë një komision i cili do të rishikonte planet dhe programet mësimore. Ky komision është formuar në vitin 2009 dhe tashmë ekziston raporti i gatshëm, i cili raport sugjeron rekomandime konkrete se në çfarë forme të harmonizohen kurikulat dhe përmes këtij raporti të adresohen të gjitha sfidat që duhet të dalin nga harmonizimi i këtyre kurikulave. Tutje ministri Hoxhaj theksoi se Kosova për herë të parë ka hartuar programin për gjuhën , historinë dhe kulturën rome, për nxënësit romë. Sipas tij për të gjithë nxënësit janë të siguruara tekstet shkollore, përveç komunitetit serb.

“Këtë vit e kemi një plan konkret: do t’i regjistrojmë nxënësit romë në shkollat fillore dhe të mesme, në mënyrë që të rritet vetëdija e tyre nga arsimi fillor tek ai i mesëm, si dhe në Universitetin e Prishtinës”, tha ai.

Sa i përket analfabetizmit në Kosovë, Hoxhaj ka përmendur se për vitin 2010 MASHT-i do të merret jo vetëm me arsimin formal, por edhe me arsimin informal, me ç‘rast përmes programeve të ndryshme të trajnimit do t’u ofrohen zonjave kurse të shkrim-leximit, veçanërisht në zonat rurale.

Deputetë dhe përfaqësues të OJQ-ve parashtruan pyetje, kërkesa, kritika dhe këshilla të shumta në adresë të Ministrinë e Arsimit. Pyetjeve të tyre për testin e maturës, sigurisë në shkolla, problemeve të komuniteteve rreth procesit arsimor, analfabetizmit në vend, pagave të mësimdhënësve, hapësirave shkollore, arsimimit të personave me aftësi të kufizuar dhe çështjes së fëmijëve me sindromin Dawn, iu përgjigj ministri Hoxhaj.
Nga dëgjimi publik i Komisionit për Integrime Evropiane