Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media

, 11.06.2010




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga Esat Brajshori, kryetar i Komisionit, u shqyrtuan propozim – amendamentet e Grupit Punues në Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për procedurën administrative, si dhe shqyrtimi i Projektligjit për konfliktet administrative, si dhe atij për administratën shtetërore. Vëmendja e anëtarëve të Komisionit u përqendrua posaçërisht në Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për procedurën administrative, i cili si u vlerësua ka mjaft zbrazësi, sidomos sa i përket dispozitave që kanë të bëjnë me ndihmën juridike, mënyrën e thirrjes së palës, mospërgjigjes së palës,shpenzimet e procedurës, rrjedhën e seancës verbale, mënyrën e dëgjimit të dëshmitarëve etj. Këto dhe disa çështje të tjera kërkohet të rregullohen me amendamente të reja, ndaj mbetet të vazhdojë konsultimi me sponzoruesin se si të veprohet: të rregullohen zbrazësit me anë të amendamenteve, apo të shkohet me tekst të ri të projektligjit, përkatësisht të tërhiqet projektligji nga ana e Qeverisë së Kosovës. Ndërkaq, sa i përket dy projektligjeve të tjera gjendja paraqitet më e mirë, ndaj do të vazhdojë puna në amendamentimin e projektligjeve nga ana e komisionit dhe ekspertëve, sipas një dinamike tashmë të përcaktuar.
Mbledhja e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media