Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri

, 14.06.2010




Komisioni për Punë të Brendshme dhe Siguri, kryesuar nga Suzan Novobrdaliu, nënkryetare e komisionit, ka mbajtur sot dëgjim publik lidhur me Projektligjin për Ripranim.

Ky projektligj për herë të parë është shqyrtuar në seancën plenare të 28 majit të këtij viti, me ç‘rast ka marrë mbështetje të plotë nga deputetë të Kuvendit të Kosovës, duke mos munguar as vërejtjet nga ana e tyre. Edhe gjatë dëgjimit publik të këtij projektligji, anëtarët e komisionit shtruan një varg çështjesh që kanë të bëjnë me këtë projektligj, veçanërisht rreth emërtimit të tij.

Projektligji për Ripranim është ndër kriteret kryesore që kërkohet për të arritë progres në procesin e liberalizimit të vizave nga Bashkimi Evropian. Me këtë rast kryesuesja e këtij komisioni vlerësoi se për miratimin e këtij projektligji do të shpejtohen procedurat meqë është një ligj i nevojshëm, si dhe parakusht për liberalizimin e vizave dhe sfidë kryesore në Raportit të Progresit. Anëtarët e komisionit vlerësuan para pjesëmarrësve të këtij takimi se në këtë projektligj do të ketë disa ndryshime teknike dhe përmbajtësore.

Përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme sqaruan se pas emërtimit të Projektligjit në fjalë si Projektligji për Riatdhesim, Komisioni Evropian ka rekomanduar që projektligji në fjalë të emërtohet si: Projektligji për Ripranim. Kjo me arsyen se projektligji nuk ka të bëjë vetëm me ripranimin e shtetasve tanë, por edhe atyre të huaj, të cilët kanë ngelë me qëndrim të përhershëm apo të përkohshëm në vend.

“Riatdhesimi i dedikohet vetëm shtetasve tanë, prandaj ripranimi është term më adekuat”, u tha gjatë këtij debati.

“Ky projektligj rregullon vetëm ripranimin dhe ka të bëjë me kthimin e personave deri në aeroport apo në pikën kufitare tokësore. Ky projektligj nuk rregullon riintegrimin”, theksuan zyrtarë të MPB-së. Tutje, u sqarua se për procedurat e mëtutjeshme kjo çështje do të rregullohet përmes një udhëzimi shtesë.

Duke sqaruar në detaje çështjet që përfshin ky projektligj, përfaqësues të MPB-së, theksuan se për riintegrim të personave në fjalë është nxjerrë një strategji e re, e cila bazuar në strategjinë e vitit 2007, është miratuar para dy javësh me disa plotësime dhe ndryshime shtesë. “Kemi krijuar një fond, një mekanizëm të veçantë që t’u krijojmë kushte të ripranuarve, në mënyrë që të kemi një ripranim të qëndrueshëm”, theksuan përfaqësues të MPB-së, duke sqaruar tutje se për këtë qëllim është krijuar një fond i veçantë.

Sipas tyre një projektligj i tillë nuk ekziston në asnjë vend të botës. “Kosova është vendi i parë që ka hartuar një ligj të tillë, i cili do t’u shërbejë si praktikë vendeve tjera”, u shprehën përfaqësues të kësaj ministrie.

Ajo që ngjalli debat gjatë këtij dëgjimi publik për projektligjin në fjalë ishte çështja e personave me aftësi të kufizuara dhe çështja e kategorisë së fëmijëve që përfshihen në këtë projektligj. Përfaqësues të MPB-së theksuan se duhet të hiqet neni 7-të, që ka të bëjë me personat me aftësi të kufizuar, meqë për kategorinë e këtyre personave trajtimi i tyre do të jetë i specifikuar në strategjinë për riintegrim.

Edhe anëtarët e komisionit vlerësuan se neni në fjalë duhet të hiqet krejtësisht nga projektligji për arsye se trajtimi i tyre mund të bëhet me ligje te veçanta. “Një nen i tillë është diskriminues, sepse bënë dallime në shtetas”, thanë disa nga anëtarët e komisionit, përderisa disa nga deputetët vlerësuan se gjatë shqyrtimit të projektligjit duhet të ridefinohet kjo çështje.

Tutje, u theksua se çështja e fëmijëve që përfshihet në këtë projektligj, duhet të pësojë ndryshime, kur kihet parasysh fakti tek rastet e fëmijëve të pashoqëruar nga prindërit e tyre, për arsye të ndryshme. “Duhet të riformulohet ligji dhe fëmijëve të pashoqëruar t’u caktohet kujdestari shoqëror”, u tha gjatë këtij debati, në të cilën morrin pjesë edhe përfaqësues të ndryshëm ndërkombëtarë.

Projektligji për Ripranim, i cili ka 17 nene, gjatë shqyrtimit nëpër komisionet funksionale nuk do të pësojë ndryshime të mëdha, meqë është një ligj i mirë, u tha gjatë këtij dëgjimi publik nga ana e anëtarëve të komisionit.
Nga dëgjimi publik i Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri