Lajmet e fundit

Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës

, 25.06.2010




Në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit (një pjesë u udhëhoq nga anëtari i Kryesisë, Sabri Hamiti), deputetët bënë shqyrtimin e dytë të Projektligjit për Ripranim.

Kryetari i Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri, Rrustem Mustafa, para deputetëve të Kuvendit tha se ky projektligj ka kaluar në procedurë të shpejtë nga komisionet funksionale, meqë Projektligji për Ripunim është njëri ndër kushtet kryesore për liberalizim të vizave nga BE-ja.

Projektligji për Ripranim me shumicë votash u miratua nga ana e deputetëve të Kuvendit.

Po ashtu, deputetët në shqyrtim të parë kanë miratuar edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për dokumentet e udhëtimit, të cilin e prezantoi ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi. Ai tha se nevoja për këtë projektligj është e madhe sepse është njëri ndër kriteret që kërkon BE-ja për t'u arritë progres në procesin e liberalizimin e vizave.

Projektligji ka për qëllim që të përcaktojë rregullat për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për dokumentet e udhëtimit. Ky projektligj krijon të hyra për buxhetin e Republikës së Kosovës. Projektligji ka deklaratën e pajtueshmërisë të Ministrisë për Integrime Evropiane, që nënkupton se është në pajtim me legjislacionin e BE-së. Projektligji krijon stabilitet legjislativ për fushëveprimtarinë të cilën e rregullon, tha me këtë rast ministri Rexhepi.

Deputetët ngritën disa nga shqetësimet lidhur me projektligjin për të cilat dha sqarime ministri Rexhepi.

Pasi ka marrë mbështetjen e deputetëve, Kuvendi ka ngarkuar komisionet përkatëse që brenda dy muajve ta paraqesin raportin me rekomandime.

Tutje, u miratua kërkesa për lejimin e kompensimit për anëtarët e Bordit dhe personelin administrativ të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.

Deputetët, po ashtu kanë miratuar edhe rekomandimin e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor lidhur me Projektligjin për Mbrojtjen e Natyrës, që ky ligj t'i kthehet Qeverisë për ripunim.

Kuvendi ka mbështetur me votime edhe rekomandimin e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media lidhur me Projektligjin për ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Procedurën Administrative, i cili projektligj po ashtu i kthehet Qeverisë për ripunim.

Në vazhdim të seancës u shqyrtua edhe rekomandimi i Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media, lidhur me nominimin e anëtarëve për Bordin për Ankesa të Mediave (BAM), nga Gjykata Supreme.

Kryetari i Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media, Esat Brajshori, tha se komisioni ka shqyrtuar propozimin e Gjykatës Supreme të Kosovës për emërimin e anëtarëve të BAM-it dhe Kuvendit i ka paraqitur rekomandimin për mosmiratim. Brajshori sqaroi se komisioni parlamentar ka pranuar shkresën e KPM-së, në të cilën është sqaruar se kandidatja Fëllanza Kadiu nuk mund të emërohet anëtare e BAM-it, për shkak të konflikt interesit.

Me këtë rast Kuvendi i Kosovës nuk miratoi propozimin e Gjykatës Supreme lidhur me nominimin e anëtarëve të Bordin për Ankesa të Mediave.

Fare në fillim të seancës deputetët kanë ngritur çështje të ndryshme gjatë kohës për deklarime jashtë rendit të ditës. Ndërsa, pyetjeve të deputetëve iu janë përgjigjur: kryeministri Hashim Thaçi, ministrat: Ahmet Shala, Enver Hoxhaj, Sadri Ferati dhe Bujar Bukoshi.

Po ashtu, deputeti dhe kryetari i Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi, Bahri Hyseni, në emër të komisionit ngriti një shqetësim që ka të bëjë me seancën e kaluar kur është aprovuar Projektligji për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit, me ç'rast ai sqaroi se është përvjedhur një gabim teknik sa i përket nenit 22. Me këtë rast deputetët e Kuvendit miratuan propozimin e komisionit në fjalë dhe të shefave të grupeve parlamentare.
Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës