Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Integrime Evropiane dhe atij për të Drejtat e Njeriut...

, 07.07.2010




Komisioni për Integrime Evropiane, si dhe Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, kanë mbajtur sot dëgjim publik lidhur me përmbushjen e sfidave të dala nga Raporti i Progresit për Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal si dhe Avokatin e Popullit, në të cilën morën pjesë përfaqësues të MAPL-së, të Avokatit të Popullit, si dhe përfaqësues të OJQ-ve.

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Zylfije Hundozi theksoi se komisioni ka hartuar një plan të veprimit i cili bazohet në sfidat të dala nga Raporti i Progresit të vitit 2009, dhe qëllimi i këtij plani të veprimit është që të bëhet një trysni, gjegjësisht një bashkëpunim më i mirë në mes të Kuvendit dhe Qeverisë. “Besojmë se këto sfida do të përmirësohen gjatë këtij viti, si dhe do të punohet më shumë, që në raportin e ardhshëm të KE-së të mos përsëriten sfidat”, theksoi Hundozi, duke kërkuar që të gjitha veprimtaritë e Institucioneve të Kosovës të përmirësohen në shërbim të qytetarëve të Kosovës.

“Ende mungon mekanizimi efektiv për të monitoruar dhe vlerësuar kualitetin e shërbimeve nga komunat. Duhet përpjekje shtesë për të adresuar ngurrimin e serbëve të Kosovës për të marrë pjesë aktive në Institucionet e Kosovës. Disa njësi komunale për të drejtat e njeriut nuk janë funksionale, sidomos në komunat me shumicë serbe që janë refuzuese të bashkëpunojnë me nivelin qendror. Shumica e dokumenteve të lëshuara nga komunat nuk përkthehen në gjuhët zyrtare. Avokati i Popullit ka një mbikëqyrje të kufizuar sa i përket strukturave paralele serbe, Zyra e Avokatit të Popullit duhet fuqizuar edhe me tej”, theksuan disa nga citatet e Raportit të Progresit, anëtarët e komisioneve parlamentare, për të cilat u përgjigjën përfaqësues të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, si dhe të Institucionit të Avokatit të Popullit.

Kryetari i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, Fatmir Rexhepi, me këtë rast dënoi ashpër sulmin ndaj deputetit të Kuvendit të Kosovës, Petar Miletiç, me ç‘rast kërkoi nga organet e drejtësisë që të zbardhet rasti.

Tutje, Rexhepi kërkoi nga përfaqësues të MAPL-së dhe të Avokatit të Popullit të japin informata rreth sfidave të dala nga raporti i KE-së, se deri në çfarë mase kanë arritur t’i përmbushin këto sfida.

Përfaqësues të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal theksuan se kjo ministri ka shënuar një progres, duke njoftuar për së afërmi anëtarët e komisionit lidhur me zhvillimet, aktivitetet dhe sfidat e kësaj ministrie. “Kemi bërë një progres të jashtëzakonshëm, veçanërisht rreth pjesëmarrjes së komunitetit pakicë në organet e qeverisjes lokale. Janë themeluar tri komuna të reja dhe jemi në fazën e përfundimit të themelimit të komunës së katërt. Kemi ndërtuar një strukturë të qëndrueshme administrative. Kemi arritur progres edhe për shkak të pjesëmarrjes së të punësuarve të komunitetit pakicë..”, theksuan përfaqësues të MAPL-së.

Ndërsa, përfaqësues të Avokatit të Popullit duke shpalosur aktivitetet dhe punën e këtij institucioni thanë se Avokati i Popullit zhvillon hetime dhe në kuadër të këtyre hetimeve jep rekomandime. “Megjithatë rekomandimet e këtij institucioni nuk po implementohen në praktike nga institucionet e Kosovës”, theksuan përfaqësues të Avokatit të Popullit duke kërkuar në vazhdimësi përkrahje nga të gjitha Institucionet e Kosovës.

“Avokati i Popullit kërkon nga çdo organ apo institucion që ushtron pushtet legjitim në Kosovë t’u përgjigjen kërkesave të Avokatit të Popullit dhe t’i paraqesin të gjitha dokumentet dhe të dhënat e kërkuara në pajtim me Kushtetutën dhe Luigjin. Në praktikë kërkesat e Avokatit të Popullit vonohen dhe në shumicën e rasteve nuk dërgohen fare. Këto veprime zbehin fuqizimin e rolit të Avokatit të Popullit”, u shprehën përfaqësues të Avokatit të Popullit.

Disa nga pjesëmarrësit po ashtu theksuan se Avokati i Popullit nuk është organ i pavarur dhe nuk po respektohet aspak nga institucionet vendore. “Avokatit të Popullit nuk i garantohet as pavarësi financiare dhe as pavarësi të veprimit” theksuan përfaqësues të KMDLNJ-së.

Pyetjeve të shumta të anëtarëve të komisioneve parlamentare iu janë përgjigjur zyrtarë të MAPL-së dhe të Avokatit të Popullit.
Nga dëgjimi publik i Komisionit për Integrime Evropiane dhe atij për të Drejtat e Njeriut...