Lajmet e fundit

Fjala përshëndetëse e kryetarit të Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi, me rastin e vizitës së ish kryeministrit britanik, zotit Toni Bler në Kosovë

, 09.07.2010




Të nderuar deputetë,
I nderuar President, zoti Fatmir Sejdiu,
I nderuar Kryeministër, zoti Hashim Thaçi,
Të nderuar ministra,
Të nderuar përfaqësues diplomatikë,
Zonja dhe zotërinj

Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë të hap këtë seancë solemne të Kuvendit për nder të njërit ndër figurat e shquara politike në plan ndërkombëtar dhe mikut të shtrenjtë të Kosovës, ish kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, zotit Toni Bler.

Në emër të qytetarëve që përfaqësojmë, në emrin tuaj dhe timin personalisht, e përshëndes mysafirin tonë të lartë dhe zonjën Bler, duke u uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës e në këtë seancë solemne parlamentare.

Dje Kosova pati dy sihariqe të mira nga Evropa, arritjen mikut të madh të saj, zotit Bler dhe Rezoluta e Parlamentit Evropian.

Ardhjen Tuaj në Kosovë zoti Bler, e përjetojmë si një ngjarje shumë të rëndësishme, nder të madh dhe kënaqësi njerëzore për mikun luftëtar të paqes, që kontribuoi aq shumë për lirinë dhe të drejtat e njerëzve liridashës të këtij vendi. Ju mbaheni mend në Kosovë, zoti Bler, për lidershipin tuaj të fuqishëm, si kryeministër për kohë të gjatë i Mbretërisë së Bashkuar, por esdhe si lider i shquar botëror, mbaheni mend për angazhimin e pakursyer për të drejtën e Kosovës, duke qenë gati të ndërhynit me trupat tokësore për mbrojtjen e qytetarëve tanë nga gjenocidi, mbaheni mend për takimin vëllazëror me refugjatët e Kosovës, të cilëve u dhatë shpresë e besim, mbaheni mend me emnakët e shumtë që keni në këtë vend dhe do të përjetësoheni në kujteën e tij historike.

Mbretëria e Bashkuar ka pasur dhe vazhdon të ketë rol të veçantë e historik në mbrojtjen e drejtësisë karshi çështjes së Kosovës, në rindërtimin e rimëkëmbjen e vendit tonë të dalë nga lufta shkatërruese dhe në sigurinë e në ngritjen e themeleve të Kosovës së re.

Gjatë këtyre dy viteve të pavarësisë, Kosova ka ndryshuar shumë, duke bërë përparime të dukshme në të gjitha fushat.

Unë dua ta shfrytëzoj edhe këtë rast që më jepet për t’ju shprehur Juve personalisht, Qeverisë dhe Parlamentit të vendit tuaj mirënjohjen e thellë, në emër të Kuvendit të Kosovës, të qytetarëve dhe timin personalisht për gjithë çfarë keni bërë për Kosovën e për qytetarët e saj.

Ju siguroj zoti Bler për ndjenjën e lartë dhe të përjetshme që ka Kosova për Mbretërinë e Bashkuar dhe për Ju personalisht, si viganin e mbrojtjes së saj.

Duke ju falënderuar edhe njëherë, kam kënaqësinë t'ju ftoj zoti Bler t’i drejtoheni me një fjalë Kuvendit të Republikës së Kosovës.