Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi

, 13.07.2010




Komisioni për Legjislacion dhe Gjyqësi i Kuvendit të Kosovës, ka shqyrtuar sot raportin e punës së KQZ-së për vitin 2009 me plotësimet e kërkuara dhe pas diskutimeve të shumta, e ka proceduar atë për shqyrtim dhe miratim në Kuvend.

Raportin e kanë paraqitur kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka dhe anëtari i KQZ-së, Blerim Burjani. Nga anëtarët e Komisionit, ndërkaq, pati diskutime të shumta, të cilët ngritën shqetësime lidhur me menaxhimin adekuat të zgjedhjeve nëpër vendvotime të caktuara dhe në qendrën për numërimin e votave. Anëtarët e Komisionit, gjithashtu, ngritën edhe çështjen e KZAP-it dhe kërkuan që pozita e tij të rregullohet me ligj.

Komisioni ka shqyrtuar edhe propozim-amendamentet e komisionit funksional në Projektligjin për vlerësimin e ndikimit në mjedis dhe ka konstatuar bazën juridike në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Në këtë mbledhje, të kryesuar nga kryetari Bahri Hyseni, Komisioni ka shqyrtuar edhe raportet e komisioneve kryesore në Projektligjin për Avokatin e Popullit dhe atë për ekzekutimin e sanksioneve penale, me amendamentet e propozuara nga komisioni funksional, duke ia proceduar ato Kuvendit për shqyrtim dhe miratim.
Mbledhja e Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi