Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Ekonomi...

, 14.07.2010




Për të pasur një pasqyrë reale për zbatueshmërinë e Ligjit për Telekomunikacionin, Komisioni për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion i Kuvendit të Kosovës mbajti sot dëgjim publik. Myzejene Selmani, duke paraqitur qëllimin e këtij dëgjimi të organizuar nga Komisioni që ajo udhëheqë tha: “Kuvendi në përgjithësi, dhe Komisioni në veçanti, duhet të arrijnë në konkludim se sa është duke u zbatuar Ligji në fjalë dhe sa është e njohur materia që e rregullon ky ligj. Cili është niveli i shërbimeve që i ofrojnë institucionet përkatëse dhe niveli i zbatimit të ligjit në tërësi”.

Në këtë dëgjim publik, përveç anëtarëve të Komisionit morën pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë së Transportit dhe Post-Telekomunikacionit, Kryeshefi Ekzekutiv i PTK-së, Shyqri Hagja, përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës, përfaqësues të ART-së, IPKO-s dhe sindikalistët e PTK-së. Kryetarja i informoi se Komisioni në bazë të Rregullores së Kuvendit, në mbledhjen e tij të rregullt (më datë 20.04.2010) paraprakisht pat marrë vendim që të formojë grupin punues për Monitorimin e Ligjit në përbërje: Zef Morina (kryesues), Myzejene Selmani, Ethem Çeku, Kaqusha Jashari dhe Fatmir Rexhepi.

Në vijim të debatit, fjalën e mori kryesuesi i grupit punues, i cili kërkoi nga të pranishmit që të shprehin opinionet e tyre në lidhje me Projektligjin. Duke pasur parasysh se ligji në fjalë është ndër ligjet e para të miratuara në legjislaturën e parë (2002), mund të ketë pasur lëshime, tha kryesuesi i grupit punues, Zef Morina. Na përket ne që gjatë këtij debati të nxjerrim rekomandime, dhe nëse ka nevojë të bëjmë propozime të reja të amendamenteve që rregullojnë këtë fushë, tha Morina.

Sipas Kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së, Shyqri Hagja, ligji aktual rregullon ekonomin e tregut të Post- Telekomunikacionit në Kosovë. Por, vazhdoi Hagja, ky ligj ka edhe mangësi të cilat duhet korrigjuar në të ardhmen. Ai me këtë rast tha se në mungesë të sanksionimit ligjor, afati i shkurtër i arkëtimit të borxheve të PTK-së e dëmton rënd profitin e kompanisë. Në vijim ai potencoi një varg çështjesh që duhet të rregullohen me ligj. Sipas tij neni 4, 21, 22, 77 duhet ndryshuar ose adaptuar rrethanave në të cilat gjendemi, tha Hagja.

Edhe përfaqësuesit e IPKO-s, vlerësuan se ligji aktual është i mjaftueshëm për liberalizimin e tregut, por, ka mangësi në zhvillimin e telekomunikacionit, vlerësuan përfaqësuesit e IPKO-s.

Përfaqësuesi i MTPT-së, Avdi Kamerolli, tha se Ligji për Telekomunikacionin ka sjell liberalizimin e tregut dhe ka krijuar të hyra të mëdha në buxhetin e shtetit. Ky ligj ka paraparë krijimin e ART-së, dhe me këtë në masë të madhe janë përmbushur nevojat ligjore të kësaj fushe, tha Kamerolli. Më pas ai shtoi se ligji i ri ka filluar të amendamentohet. Do të jetë ligj bashkëkohor i krahasueshëm me shtetet e rajonit, i cili do të rregullojë telekomunikimet elektronike, tha Përfaqësuesi i MTPT-së.

Duke çmuar draftimin e ligjit të ri, përfaqësuesit e Odës Ekonomike thanë se ligji i deritashëm ka përmbushur nevojat e kohës. Të njëjtin mendim për ligjin shprehën edhe përfaqësuesit e ART-së.

Pas debateve, pjesëmarrësit u pajtuan që ligji aktual është ligj i mirë,por megjithatë, duhet bërë përpjekje që edhe më shumë të punohet në të për t’ia përshtatur rrethanave, duke theksuar se edhe ART-ja duhet të jetë më efikase në zbatimin e tij. Po ashtu pjesëmarrësit konkluduan se ligji është zbatuar në tersi nga MTPT-ja. Ndërkaq, për humbjet që shkaktohen nga operatorët ilegal kërkohet që sa më shpejtë të evitohen mangësitë ligjore.

Në debatin e sotëm, shkarazi u diskutua edhe për privatizimin e PTK-së. Në lidhje me këtë, Kryeshefi Ekzekutiv i PTK-së Shyqri Hagja, duke paraqitur arsyet e shumta të privatizimit ndër të tjera tha: “ Me plot të drejtë kryeministri Thaçi dhe ambasadori Dell kanë deklaruar se interferimet politike pengojnë zhvillimin ekonomik të PTK-së”.
Nga dëgjimi publik i Komisionit për Ekonomi...