Lajmet e fundit

Nga seanca e Kuvendit

, 22.07.2010




Deputetët e Kuvendit të Kosovës mbajtën sot seancën e rregullt plenare të kryesuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit(një pjesë të seancës e kryesoi anëtari i Kryesisë së Kuvendit, Xhavit Haliti), gjatë së cilës bënë shqyrtimin e dytë të gjashtë Projektligjeve. Po ashtu, në seancën e sotme ligjëvënësit shqyrtuan një mori raportesh vjetore të agjencioneve, instituteve dhe raporte të auditorit.

Në kuadër të pikës së përhershme në seanca plenare, ku deputetët mund të ngritin çështje jashtë rendit të ditës, ata shprehën shqetësimin në lidhje me vendimin e Gjykatës së Hagës për rastin Haradinaj. Ahmet Isufi nga radhët e AAK-së, duke shprehur shqetësimin e tij dhe të subjektit që ai përfaqëson tha:” Dje në Hagë është marrë vendim për rigjykimin e z. Ramush Haradinaj, Lahi Ibrahimaj dhe Idriz Balaj. Këtë vendim e konsiderojmë goditje ndaj demokracisë në Kosovë”. Më tej Isufi shtoi se, duke pasur parasysh luftën e drejtë të UÇK-së, të ushtarëve dhe komandantëve të sajë, institucionet e Kosovës në mënyrë zyrtare duhet të angazhohen që Ramush Haradinaj të kthehet sa më shpejtë në Kosovë. Duke iu referuar rrethanave politike në Kosovë, deputeti Isufi u shpreh:” Për ne, vendimi i Gjykatës së Hagës në këtë kohë është i pakuptimtë”, dhe me këtë rast ai kujtoi deklarimin e z. Haradinaj para nisjes për në Hagë se:” Në këtë kohë, më me rëndësi është vendimi i GJND-së se sa shkuarja ime në Hagë”.

Në lidhje me vendimin e Gjykatë së Hagës për rastin Haradinaj foli edhe Kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi.

“ Vendimi ka shqetësuar Kuvendin e Kosovës, të gjitha institucionet dhe opinionin në Kosovë. Ne jemi të vetëdijshëm se lufta e lavdishme e UÇK-së dhe popullit shqiptar në Kosovë, ka qenë luftë e imponuar për liri, paqe dhe prosperitet për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ajo ka qenë e drejtë dhe e pastër”, tha Krasniqi. Më tej, Krasniqi, duke shprehur besimin në drejtësinë ndërkombëtare, tha se jemi të bindur në pafajësinë e Haradinajt, dhe shprehu bindjen se drejtësia do të triumfojë. Duke iu referuar opinioneve të shprehura nga disa deputetë në lidhje me rastin, Krasniqi tërhoqi vërejtjen që rasti të mos politizohet dhe të mos përdoret për akuza dhe kundërakuza.

Në vijim deputetët shtruan pyetje parlamentare ministrave të Qeverisë së Kosovës, të cilave iu përgjigjën anëtarët e kabinetit qeveritar: Blerand Stavileci dhe Nenad Rashiq.

Seanca vazhdoi punën duke shqyrtuar për herë të dytë projektligjet: Projektligjin për gjykatat, Projektligjin për ekzekutimin e sanksioneve penale, Projektligjin për Avokatin e Popullit, Projektligjin për grevat, Projektligjin për miniera dhe minerale dhe Projektligjin për inspektoratin e tregut dhe mbikëqyrjen inspektuese.

Deputetët Bahri Hyseni dhe Myzejene Selmani paraqitën rekomandimet e Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi, përkatësisht Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion, duke theksuar se është bërë harmonizimi i qëndrimeve edhe me komisionet e tjera relevante në lidhje me këto projektligje.

Katër nga këto Projektligje u miratuan me shumicë votash nga deputetët.

Pas komunikimit të vendimit të GJND-së nga Haga në lidhje me ligjshmërinë e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në Kuvend u krijua atmosferë festive. Kryesuesi i seancës propozoi që të ndërpriten punimet e seancës së sotme, për të vazhduar nesër në orën 10:00.
Nga seanca e Kuvendit