Lajmet e fundit

Kryekuvendari, dr. Jakup Krasniqi, priti ipeshkvin e Kosovës, imzot Dodë Gjergji

, 30.08.2010




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, kishte sot një takim me ipeshkvin e Kosovës, imzot Dodë Gjergji. Temë kryesore e këtij takimi ishte shënimi i 100-vjetori të lindjes së humanistes së madhe, Nënës Tereze. Në prononcimin për media kryekuvendari Krasniqi tha se me këtë rast i ka uruar imzot Dodë Gjergjit, 100-vjetorin e lindjes së humanistes së madhe, Nëna Tereze. Njëkohësisht, tha në vijim kryekuvendari Krasniqi, shprehet gatishmëria e institucioneve për mbështetje të të gjitha besimeve fetare.”Ne kemi pasur fatin që të kemi një humaniste të madhe që ka bashkuar racat njerëzore. Populli ynë, ashtu si ka pasur njerëz e personalitete që kanë luftuar për liri, po kështu ka pasur edhe personalitete që kanë kontribuar edhe në veprimtari humane, ndërsa këtë askush nuk e bëri më mirë se sa Nëna Tereze. Duke u ndier të nderuar që po kremtojmë këtë përvjetor, ne gjendemi edhe para një ngjarje të madhe, siç do të jetë përfundimi i punëve kryesore të Katedrales në Prishtinë”, theksoi kreu i legjislativit të vendit.

Imzot Dodë Gjergji tha se gjatë këtij takimi e ka njoftuar kryekuvendarin Krasniqi për ecuritë e deritashme të përgatitjeve për manifestimin e shënimit të 100-vjetorit të lindjes së Nënës Tereze.”Jemi të lumtur që këtë përvjetor e kremtojmë së bashku”, theksoi ai. Përvjetori i Nënës Tereze do të shënohet në Prishtinë, më 5 shtator, ndërsa kjo është bërë për shkak të bashkërendimit të veprimtarive kushtuar kësaj humanisteje të madhe bashkë me veprimtaritë që zhvillohen edhe në Shqipëri.
Kryekuvendari, dr. Jakup Krasniqi, priti  ipeshkvin e Kosovës, imzot Dodë Gjergji