Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

, 02.09.2010




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Buxhet dhe Financa, të kryesuar nga z. Gani Koci- kryetar i Komisionit, pikë kryesore e rendit të ditës ishte shqyrtimi i Raportit financiar të Kuvendit të Republikës së Kosovës për gjashtëmujorin e parë të vitit 2010.

Në mbledhje, përveç anëtarëve të Komisionit, morën pjesë edhe përfaqësuesit e ICO-së, OSCE-së, GTZ-së dhe KDI-së.

Duke debatuar për Raportin financiar të Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2010, anëtarët e Komisionit më së shumti patën vërejtje në realizimin e vogël të investimeve kapitale, në pagesën e shpenzimeve komunale dhe në kualitetin e punëve të përfunduara, të cilat janë kryer gjatë kohës së renovimit të ndërtesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në fund të kësaj pike të rendit të ditës, anëtarët e Komisionit u pajtuan që, me disa rekomandime, ky raport financiar t’i dërgohet për shqyrtim Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Në të njëjtën mbledhje, anëtarët e Komisionit, në parim, e mbështetën Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.02/L-122 për shoqëritë tregtare, me Raportin e komisionit funksional- Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion, me amendamente, si dhe Propozim-vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e 10 anëtarëve në Bordin e Pavarur për Rishqyrtimin e Ankesave..
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa