Lajmet e fundit

Dëgjim publik i Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi

, 08.09.2010




Nxjerrja e Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe atij për Këshillin Prokurorial, do të krijojë bazë të konsoliduar ligjore për këto do institucioneve të gjyqësisë së Kosovës, ndërsa, përmes tyre, duhet promovuar pavarësinë nga institucionet e tjera, pavarësinë buxhetore dhe profesionalizmin.

Ky ka qenë konkluzioni kryesor i nxjerrë në përfundim të dëgjimit të sotëm publik, që Komisioni për Legjislacion dhe Gjyqësi e organizoi në Kuvendin e Kosovës rreth Projektligjit për Këshillin Gjyqësor dhe Projektligjit për Këshillin Prokurorial.

Përfaqësues të institucioneve shtetërore e organizatave joqeveritare, si dhe anëtarë të Komisionit, të pranishëm në këtë dëgjim publik, kanë diskutuar gjerësisht rreth përmbajtjes së këtyre projektligjeve, si dhe kanë dhënë vërejtje e sugjerime rreth neneve të caktuara të tyre. Përfaqësues të Presidencës, Ministrisë së Drejtësisë, Prokurorit të Shtetit, Odës së Avokatëve të Kosovës, Këshillit Gjyqësor, KMDLNJ-së, Institutit Gjyqësor, gjyqtarë, prokurorë e ligjërues universiteti, gjatë diskutimeve të tyre, janë fokusuar në nenet që kishin të bënin me detyrat, përgjegjësitë dhe përbërjen e Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial të Kosovës, sekretariatet, administratorët, mënyrën e propozimit të buxhetit etj. Diskutuesit kërkuan rishikimin dhe amendamentimin e pjesëve të caktuara të projektligjeve, eliminimin e kundërthënieve eventuale ndërmjet tyre dhe akteve të tjera juridike të vendit dhe ndërkombëtare etj.

Kryetari i Komisionit, Bahri Hyseni, i cili udhëhoqi këtë dëgjim publik, duke bërë një përmbledhje të diskutimeve, theksoi se gjatë amendamentimit, grupet punuese duhet të përqendrohen në harmonizimin ndërmjet këtyre dy projektligjeve në çështjet që mund të harmonizohen, siç është ajo e komisioneve, por njëkohësisht edhe të ruhen specifikat e tyre. Ai tha se sikurse Këshilli Gjyqësor, edhe ai Prokurorial duhet ta ketë Sekretariatin e tij, ndërsa prokuroritë duhet të kenë administratorët e tyre. Gjithashtu ai tha se duhet të specifikohet përbërja e prokurorisë, të definohet çështja e trajnimeve etj.
Dëgjim publik i Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi