Lajmet e fundit

Kuvendi i Kosovës shënoi Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë

, 15.09.2010




Kuvendi i Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar Demokratik (NDI), me një varg aktivitetesh shënoi sot Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë. Fillimin e këtyre aktiviteteve, të cilat vazhduan gjatë gjithë ditës, e shënoi fjala e kryeparlamentarit, Krasniqi, i cili ndër të tjera tha: ”Kam kënaqësinë dhe nderin që pikërisht këtu, në Kuvendin e Republikës së Kosovës të hap sot veprimtaritë për shënimin dhe kremtimin e 15 shtatorit-Ditës Ndërkombëtare të Demokracisë”. Më tej, Krasniqi vuri në pah se përpjekjet e popujve anembanë globit kanë qenë dhe mbeten për avancimin e demokracisë, si mënyra më e mirë për realizimin e lirisë dhe të drejtave të popujve. “Demokracia ka qenë dhe mbetet aspirim i popujve anekënd botës, sepse ajo është institucionalizimi i lirisë”. Kryetari i Kuvendit, po ashtu përkujtoi se Kosova e dalë nga një sundim i egër dhe i gjatë shtypës e pushtues, sot i bashkohet familjes së madhe të demokracive të botës që kremtojnë këtë ditë. Në fund të fjalës së tij kreu i legjislativit të vendit tha se legjislatura e Kuvendit në vijim, ka arritur me sukses të promovojë demokracinë e kulturën parlamentare dhe të sigurojë përfaqësimin e të gjitha komuniteteve pakicë. Demokracia është realizimi i lirisë për të gjithë.

Drejtori Rajonal i NDI-së për Evropën Jugore dhe Qendrore, Rob Benjamin, iu drejtua të pranishmëve, duke thënë: ”Jam i lumtur dhe krenar t’ju bashkëngjitem sot, përkrah Kryetarit të Kuvendit të Kosovës për të festuar Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë”. Mandej, Benjamin shtoi se Kuvendi i Kosovës është simbol i asaj që në Amerikë thuhet se “Qeverisja është e popullit, për popullin dhe nga populli”. Benjamin, duke folur për demokracinë dhe parimet themelore të saj, në vijim tha: ”Të gjitha demokracitë, përfshirë edhe të Kosovës, janë të ndërtuara rreth vlerave thelbësore, vlerave të participimit qytetar, përfaqësimit politik, trajtimit korrekt dhe të barabartë para ligjit, transparenca qeveritare dhe përgjegjësia ndaj qytetarëve”.

Pas fjalës së Kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe të drejtorit të NDI-së, Kuvendi vijoi së realizuari agjendën e përgatitur për këtë ditë. U fillua me, “ Dyert e Hapura për Publikun”, me ç’rast Kuvendi u vizitua nga filloristë, nxënës të shkollave të mesme nga gjashtë qendra të Kosovës: Prishtina, Mitrovica, Peja, Gjakova, Gjilani dhe Ferizaj, si dhe studentë të universiteteve dhe qytetarë nga e gjithë Kosova dhe diaspora. Gjatë këtyre vizitave, qytetarët kanë parë një pjesë të mbledhjes plenare të Kuvendit dhe janë njohur me ambientet e brendshme, strukturën dhe mënyrën e funksionimit të tij. Me këtë rast atyre iu dhuruan publikime të Kuvendit. Pas kësaj, vizitorë të shumtë morën pjesë në panelet e diskutimit, me temat: Përfaqësimi i qytetarëve në procesin legjislativ, Votues për herë të parë dhe rritja e daljes në votime dhe Qasja në informata zyrtare dhe transparenca në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Shtjellimin e këtyre temave e bënë: Fatmir Rexhepi, Kryetar i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, Dr.Gareth Mc Grath, Drejtor i Komunikimit me Qytetarë në Kuvendin e Irlandës Veriore, Valdete Idrizi Drejtore në CBM. Për temën e dytë panelistët: Ismail Kurteshi, anëtarë i Komisionit për Arsim Shkencë dhe Teknologji, Ismet Kryeziu, Drejtor Ekzekutiv i KDI-së. Ndërkaq, lidhur me temën: Qasja në informata zyrtare dhe transparenca në Kuvendin e Republikës së Kosovës folën Esat Brajshori, Kryetar i Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media, George Craëford, ekspert i jashtëm i NDI-së dhe Shqipe Pantina, Drejtore në Qendrën për Politika dhe Avokim.
Kuvendi i Kosovës shënoi Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë