Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kuvendit të Republikës së Kosovës

, 31.03.2011




Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar, ka miratuar Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2011, me amendamente të komisionit funksional, për Buxhet dhe Financa.

Kryetarja e komisionit, Safete Hadërgjonaj, duke e arsyetuar raportin me rekomandime, theksoi se edhe përkundër kohës së shkurtër, komisioni ka arritur ta shqyrtojë Projektligjin për Buxhetin, të miratuar në parim, dhe të gjitha kërkesat, të cilat i kanë ardhur komisionit. Hadërgjonaj sqaroi, gjithashtu, edhe çështjen e amendamentit 2, i cili ka të bëjë me nenin 4 të projektligjit, për të cilin tha se ka pasur dy propozime: propozimi për riformulimin e nenit 4 dhe ai për fshirjen e tij nga projektligji. Sipas saj, të dy propozimet janë hedhur në votim në komision dhe në të dy rastet votat kanë qenë të barabarta. Komisioni, tha ajo, ka vendosur që të dy variantet të jenë pjesë e amendamentit 2 dhe seanca të vendos.

Përfaqësuesit e grupeve parlamentare shfaqën qëndrimet e tyre rreth nenit 4, me ç’rast deputetë nga opozita kërkuan heqjen e tij nga projektligji, duke kërkuar që privatizimi i PTK-së të bëhet përmes një vendimi të posaçëm të Kuvendit, ndërsa, deputetë nga pozita vlerësuan se planifikimi i buxhetit nga institucionet bëhet duke i marrë disa indikatorë dhe duke vënë disa vlera të cilat vlerësohen se do të jenë të arritshme.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, dhe ai për Zhvillim Ekonomik, Besim Beqaj, potencuan se neni 4 i riformuluar i projektligjit ka bazë ligjore dhe se nuk është paragjykuar çmimi i shitjes së PTK-së.

Kuvendi i miratoi amendamentet e propozuara nga Komisioni për Buxhet dhe Financa, përfshirë variantin e qeverisë në amendamentin 2 që ka të bëjë me nenin 4, si dhe projektligjin në tërësi.

Në këtë seancë, kryeparlamentari Krasniqi, në emër të Kuvendit, përshëndeti delegacionin nga Kuvendi i Kuvajtit, i cili ndoqi një pjesë të seancës së sotme.
Nga mbledhja e Kuvendit të Republikës së Kosovës