Lajmet e fundit

Nga mbledhja plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës

, 06.05.2011




Arsyetimin e këtyre marrëveshjeve e ka bërë ministri i Financave, Bedri Hamza, të cilat i ka vlerësuar shumë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik, për zhvillimin e infrastrukturës dhe përparimin teknologjik të vendit. Në emër të Komisionit për Parlamentar për Buxhet dhe Financa ka folur kryetarja e këtij komisioni, Safete Hadërgjonajs, e cila i ka ftuar deputetët që t’i miratojnë këto marrëveshje. Në emër të grupeve parlamentare marrëveshjet i kanë mbështetur: Ismet Beqiri, Ardian Gjini, Petar Miletiq, Ibrahim Makolli, dhe Duda Balje. Marrëveshjet i ka mbështetur edhe shefi i Grupit Parlamentar Vetëvendosje!, pos Marrëveshjes me UNCTAD (Agjenci e specializuar e Kombeve të Bashkuara për projektin softueri ASYCUDA), duke e quajtur atë marrëveshje që buron nga Plani i Ahtisarit.

Në fund me shumicë votash të deputetëve janë miratuar (ratifikuar): Marrëveshja për financim dhe grante ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Botërore e 11 marsit 2011, Marrëveshja në mes Qeverisë Republikës së Kosovës dhe UNCTAD, Marrëveshja për financimin e projektit për regjistrimin e pasurisë së patundshme dhe kadastër në mes Qeverisë Republikës së Kosovës dhe Shoqatës ndërkombëtare për zhvillim, Marrëveshja në mes Qeverisë Republikës së Kosovës dhe KfW- Frankfurt am Main dhe Kompanisë së Ujësjellësit Regjional-Prishtina, Marrëveshjen bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukës të Madh të Luksemburgut dhe Marrëveshjen për financimin e projektit për modernizimin e sektorit publik në mes Qeverisë Republikës së Kosovës dhe Shoqatës ndërkombëtare për zhvillim.

Në vazhdim të seancës është zhvilluar debat parlamentar lidhur me gjendjen e sigurisë dhe sundimin e ligjit në Kosovë, sipas kërkesës së deputetit Nait Hasani, të mbështetur nga deputetë të tjerë. Arsyetimin e kërkesë për debat parlamentar e kas bërë parashtruesi i saj, z. Hasani. Ai ka folur gjerësisht për gjendjen sigurisë në Kosovës, të cilën e ka vlerësuar të keqe, sidomos në pjesën veriore të Kosovës, në të cilën, siç është shprehur ai, është dhunuar siguria fizike e njerëzve, është shkatërruar pasuria e tyre dhe është shkelur Kushtetuta e Kosovës. Hasani ka shprehur tone kritike për UNMIK-un dhe EULEX-in, të cilët kanë qenë apo janë përgjegjës për sigurinë në Kosovës, prandaj edhe të asaj pjese të vendit. Ai ka shfaqur shqetësimin e tij për veprimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe të Shërbimit inteligjent të saj në territorin e vendit tonë. Ai i ka kritikuar edhe institucionet e vendit për, siç thotë, lejimin e degradimin shpirtëror dhe politik të njerëzve tanë.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka dhënë një informatë për sundimin e rendit e të ligjit në Kosovë, duke u përqendruar në masat që ka ndërmarrë qeveria e Kosovës dhe ministria të cilën e udhëheq për sundimin e ligjit në Kosovë. Ai ka përmendur Strategjinë për hulumtimin e krimeve të luftës, kthimin e gjyqtarëve në gjykatat në Veri, zbatimin e Ligjit për gjykatat, Ligjit për Prokurorinë, Ligjit për Këshillin Gjyqësor dhe Ligjit për Këshillit Prokuirorial, si dhe zbatimin e instrumenteve të tjera të drejtësisë. Ai ka folur edhe për masat që ka ndërmarrë Ministria e Drejtësisë për meremetimin e godinave të gjykatave, masat që ka ndërmarrë për sundimin e ligjit në Kosovë, siç është Strategjia për pakësimin e lëndëve nëpër gjykata, rritjen e masa të sigurisë në burgjet e Kosovës dhe mbrojtjen e të drejtave të të burgosurve. Kuçi ka theksuar sponsorizimin e hulumtimit të krimeve të luftës, e të krimeve të tjera. Ai ka përmendur, ndërkaq, edhe me raportet që ka në këtë plan me EULEX-in me ICO-në e me faktorë të tjerë të interesuar.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka paraqitur para deputetëve një raport për gjendjen e sigurisë në Kosovë. Ai gjendjen e sigurisë e ka përshkruar të qetë dhe stabile, duke e cilësuar si të brishtë, sidomos në pjesën veriore të vendit. Ministri i Brendshëm ka pohuar se gjendja është nën kontroll, falë institucioneve përgjegjëse të sigurisë: Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i. Ai ka vlerësuar se marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë kanë shënuar ngritje, pos në pjesën veriore, në të cilën herë pas here ngrihen tensione ndëretnike të inskenuara nga incidente të organizuara nga grupe kriminale, të financuara nga regjimi serb, i cili e trimëron popullsinë serbe të atjeshme që të mos integrohet në shoqërinë e Kosovës. Në funksion të përmirësimit të gjendjes së sigurisë Rexhepi ka përmendur strategjitë nacionale: kundër krimit të organizuar, kundër trafikimit të qenieve njerëzore, luftës kundër terrorizmit etj. Ai ka garantuar deputetët s Policia e Kosovës është e aftë dhe e përgatitur që ruajë rendin gjendjen e sigurisë, duke përfshirë edhe ruajtjen e kufijve të Kosovë.

Kryetari i Grupit Parlamentar i PDK-së, Adem Grabovci, e ka quajtur të vlefshëm këtë debat parlamentar që ka për qëllim të evidencojë lëshimet e institucioneve të Kosovës. Veriu i Kosovës, është bërë pika më e ndjeshme në Kosovë, ka pohuar Grabovci, i cili ka kërkuar nga EULEX-i që rendi dhe ligji të sundojë edhe në veri të vendit.

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, strategjitë e përmendura nga ministrat i ka quajtur fjalë në letër. Siguria dhe sundimi i ligjit janë larg asaj që e dëshirojmë dhe që na nevojitet, ka theksuar ai, duke u shprehur i shqetësuar për vjedhjen e Dhomës së Dëshmisë në Policinë e Kosovës.

“Kosova vazhdon të jetë vend i pambrojtur, sidomos në Veri”, ka theksuar Rexhep Selimi, në emër të Grupit Parlamentar Vetëvendosje!, duke shprehur shqetësimin për kufijtë e pambrojtur dhe të pakontrolluar të vendit dhe për mosfunksionimin e zinxhirit komandues të Policisë së Kosovës.

“Në veri të Kosovës kemi të bëjmë me një agresion kriminal të një shteti tjetër “, ka theksuar Ahmet Isufi në emër të grupit Parlamentar të AAK-së, duke shtuar se vetura me regjistrime të huaja qarkullojnë pa i ndalur kush. Ai ka ngritur shqetësimin për depërtimin e shpeshtë të xhandarëve serbë në zonën kufitare në juglindje të vendit, si dhe për gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Shefi i Grupit Parlamentar të koalicionit për Kosovë të Re , Ibrahim Makolli, sistemin e sigurisë në Kosovë e ka vlerësuar të ndërtuar mbrapsht. Ai ka tërhequr vëmendjen se sa vjen e keqësohet gjendja e sigurisë nëpër shkollat tona, në të cilat përdoren edhe substanca narkotike.

Në këtë frymë dhe me tone shumë kritike ka vazhduar debati për gjendjen e sigurisë dhe e sundimit të ligjit në Kosovë. Folësit në këtë temë kanë qenë të shumtë, siç kanë qenë të shumta edhe shqetësimet e tyre për gjendjen e sigurisë dhe të sundimit të ligjit.

Pas fjalëve përfundimtare të zv.kryeministrit Kuçi, të ministrit Rexhepi dhe parashtruesit të kërkesës për debat parlamentar, z.Hasdani, deputetët me shumicë votash kanë miratuar raportin me rekomandime për gjendjen e sigurisë dhe të sundimit të ligjit në Kosovë.

Në përfundim të seancës së sotme deputetët kanë shqyrtuar dhe miratuar Raportin vjetor i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, për vitin 2010.
Nga mbledhja plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës