Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kuvendit

, 31.05.2011




Deputetët e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e sotme plenare të kryesuar nga kryetari i Kuvendit, dr. Jakup Krasniqi,(një pjesë të saj e ka drejtuar nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti) kanë debatuar për rastin e ri-gjykimit të pjesshëm të z. Ramush Haradinaj dhe bashkëluftëtarëve të tij, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj.

Kërkesën për këtë seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit (e mbështetur nga mbi 40 deputetë nënshkrues), në emër të Grupit Parlamentar të AAK-së e ka arsyetuar deputeti Ahmet Isufi. Ai ka përshkruar gjithë historinë e zotit Haradinaj dhe bashkëpunëtorëve të tij, Balaj e Brahimaj me Gjykatën e Hagës: vetëdorëzimin e të akuzuarve, shpalljen të pafajshëm (gjitha pikat e aktakuzës) të Hradinajt, më 3 prill 2088. “ Z.Haradinaj, duke qenë i përgjegjshëm për rolin që kishte si kryeministër i Kosovës, duke pasur parasysh luftën e drejtë të UÇK-së dhe për të mbrojtur vlerat demokratike dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës dhe vullnetarisht iu përgjigj Tribunalit të Hagës”, ka theksuar Isufi, i cili i ka përkujtuar deputetët se me gjithë pafajësinë e shpallur, më 21 korrik Dhoma e Apelit e Tribunalit të Hagës vendosi për rigjykimin e pjesshëm të z. Haradinaj, sipas kërkesës së Prokurorisë, nga e cila kohë ish-komandanti i Zonës operative të Dukagjinit po mbahet në burgun Hagës.

Menjëherë pas kësaj e ka marrë fjalën kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka deklaruar se e mirëpret këtë debat, duke mbajtur qëndrim se edhe në këtë rast nuk bëhet fjalë për një individ, apo për një kryetar partie, por për luftën e drejtë të UÇK-së, e cila është zhvilluar në harmoni të plotë me të drejtën ndërkombëtare. “Qeveria e Kosovës dhe unë personalisht kemi qenë të gatshëm që të japim gjithë mbështetjen dhe sigurinë juridike për z. Haradinaj dhe të tjerët, në kuadër të asaj që e lejon Kushtetuta. Besojmë në pafajësinë e plotë të Ramush Hradinajt, të Lahi Brahimit dhe të Idriz Balës, por besojë edhe në drejtësinë ndërkombëtare”, ka theksuat Thaçi, i cili është shprehur optimist se Haradinaj do t’i kthehet familjes dhe partisë së tij.

Në vazhdim mbështetje të plotë Haradinajt dhe bashkëpunëtorëve të tij në luftën e UÇK-së në emër të grupeve të tyre parlamentare u kanë dhënë: Adem Grabovci (PDK), Ismet Beqiri (LDK), Rexhep Selimi (VV), Ardian Gjini (AAK), Myzejene Selmani (KKR) dhe Enis Kërvan (6+), të cilët njëzëri janë shprehur se besojnë në pafajësinë e të akuzuarve dhe se kërkojnë të përshpejtohet drejtësia për Haradinaj dhe bashkëluftëtarëve të tij.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, nga ana e tij, është angazhuar që debati i sotëm të zhvillohet mbi tri premisa kryesore: bashkëpunim i me Gjykatën e Hagës; besimi në drejtësinë ndërkombëtare dhe; pastërtia e luftës së UÇK-së. Ai është shprehur i prerë për pastërtinë e luftës çlirimtare në Kosovë, si dhe është shprehur optimist se drejtësia ndërkombëtare do ta thotë fjalën e vetë.

Në debat kanë marrë pjesë dhjetëra deputetë, nga grupe të ndryshme parlamentare, të cilët si rrallëherë më parë kanë qenë krejtësisht unikë, në mbështetje të luftëtarëve të lirisë.

Në përfundim të debatit deputetët njëzëri i kanë miratuar dy rekomandime të Kuvendit:

1. Duke besuar në pafajësinë e z. Haradinaj dhe bashkëluftëtarëve të tij, si dhe në luftën e drejtë të UÇK-së, Kuvendi i Republikës së Kosovës thërret Tribunalin e Hagës që procesi ndaj ish-kryeministrit të Kosovës, z. Haradinaj dhe bashkëluftëtarëve të tij, të jetë i qartë, fer dhe i shpejtë, në mënyrë që z. Haradinaj dhe bashkëluftëtarët e tij të kthehen sa më shpejtë në Kosovë.

2. Duke besuar në drejtësinë ndërkombëtare, Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria dhe institucionet tjera shtetërore të Republikës së Kosovës dhe Institucionet Ndërkombëtare në Kosovë që të japin përkrahje institucionale, juridike dhe materiale për z. Haradinaj dhe bashkëluftëtarët e tij.
Nga mbledhja e Kuvendit