Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion

, 02.06.2011




Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, të kryesuar nga Arben Gashi, kryetar i Komisionit, u shqyrtua raporti vjetor i Komisionit për ndihmë juridike, për vitin 2010.

Përfaqësues të Komisionit për ndihmë juridike, gjatë prezantimit të raportit vjetor, para anëtarëve të Komisionit, theksuan se KNJ ka kryer punën e vet me efikasitet, krahasuar me kapacitetet që ka pasur. Më tej theksuan faktin se buxheti nuk ka qenë i mjaftueshëm për t’i plotësuar kërkesat e qytetarëve. Ndërsa, duke sqaruar në detaje punën dhe angazhimet që ka pasur KNJ përgjatë vitit të kaluar, komisionieri i ndihmës juridike, Sokol Haziri tha se çështja e akomodimit të zyreve akoma është çështje e pazgjidhur. Më tej Haziri ka sqaruar rreth bashkëpunimit që KNJ-ja ka me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrinë e Drejtësisë, Fakultetin Juridik të UP-së, si dhe OJQ të caktuara. Duke theksuar se ka pasur rritje të kapaciteteve, ai sqaroi se është rritur edhe numri i personelit në KNJ, ndërsa sqaroi se vetëdijesimi i qytetarëve ka shënuar rritj të dukshme.

Anëtarët e Komisionit kërkuan disa sqarime nga përfaqësues të Komisionit për ndihmë juridike, lidhur me kategorinë e personave që kërkojnë asistencë sociale në KNJ, duke kërkuar të njoftohen edhe lidhur me numrin e rasteve të cilët kanë përfituar nga kjo ndihmë, si dhe rreth sqarimeve të përzgjedhjes së avokatëve.

Duke e përkrahur për procedim të mëtejmë raportin vjetor të Komisionit për ndihmë juridike, për vitin 2010, anëtarët e komisionit theksuan se KNJ ka shënuar një avancim të dukshëm krahasuar më vitet paraprake.

Pikë e rendit të ditës së këtij takimi ishte edhe shqyrtimi detyrave të Komisionit të përcaktuara me planin e veprimit të Kuvendit, për Integrime Evropiane, për tre mujorin e dytë të vitit 2011. Me këtë rast anëtarët e komisionit u dakorduan që nga secila agjenci të kërkohet raport i sintetizuar për shqyrtim në komision lidhur me këtë çështje.
Mbledhja e Komisionit për Legjislacion