Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

, 07.06.2011




Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, ka shqyrtuar kërkesën e nënkryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, për takim të Kryesisë së Kuvendit me veteranët grevistë të UÇK-së. Kryeparlamentari Krasniqi ka deklaruar se Ligji për Vlerat e UÇK-së arrin në Kuvend gjatë muajit qershor dhe do të miratohet në afat sa më të shkurtër ligjor. Ai ka pohuar se nuk ka asnjë kontestim të institucioneve të vendit dhe të atyre ndërkombëtare, si Fondi Monetar Ndërkombëtar, për miratimin e këtij ligji, sepse ai nuk presupozon ndonjë kosto të madhe financiare, prandaj në këtë vështrim, ka theksuar kreu i Kuvendit, nuk ka arsye për greva e protesta të veteranëve të UÇK-së. Krasniqi është shprehur, ndërkaq se, veteranët e luftës çlirimtare janë të mirëpritur në çdo kohë në takim me Kryesinë e Kuvendit. Ai pastaj ka pohuar se më vonë duhet të nxirret një ligj i veçantë për përcaktimin e numrit të veteranëve të UÇK-së, të cilët duhet të mbështeten financiarisht, e që do të ketë kosto të konsiderueshme të implementimit.

Kryesia në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar edhe një varg kërkesash të komisioneve parlamentare e të grupeve të deputetëve për udhëtim zyrtar jashtë vendit, si në: Kroaci, Norvegji, Belgjikë dhe Shqipëri.

Kryesia ka mbështetur kërkesën e Komitetit të Grave të Verbra të Kosovës për ndihmë financiare, për realizimin e Projektit – Zhdukja e Analfabetizmit, si dhe kërkesa të tjera për kompensime financiare për punë të kryera për Kuvendin.
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit