Lajmet e fundit

Takim i grave deputete me Bordin e RTK-së

, 09.06.2011




Grupi i Grave deputete, në kuadër të aktiviteteve për fuqizimin e rolit të gruas në politikë dhe shoqëri zhvilloi një takim me Bordin e Radiotelevizionit Publik. Në këtë takim u bisedua në lidhje me përmirësimin e pasqyrimit të angazhimit të Grave në mediumin Publik. “Aktualisht ky pasqyrim është varfër dhe ka diskriminim me baza gjinore”, tha kryetarja e Bordit të Grupit të Grave Deputete, Teuta Sahatija, duke kërkuar që të sigurohet hapësira e mjaftueshme dhe e barabartë për të dyja gjinitë. Anëtarja e Bordit të Grave Deputete Donika Kadaj Bujupi tha se televizioni publik duhet të jetë i kujdesshëm në hapësirën në lajme dhe debate televizive në mënyrë që gratë të jenë të ftuara dhe të japin mendimin e tyre në lidhje me proceset që zhvillohen në vend. Ndërsa deputetja Alma Lama theksoi se roli i medias është i jashtëzakonshme në zhvillimin e shoqërisë dhe se i takon televizionit publik, ai duhet të fillojë të luajë rolin e promotorit të vlerave, ku një vend të rëndësishëm duhet të zënë gratë që u përkasin të gjitha fushave të jetës.

Drejtori i Bordit të RTK-së, Rrahman Paçarizi u shpreh i gatshëm për bashkëpunim dhe premtoi se RTK do të ndërmarrë masa të menjëhershme për të përmirësuar pasqyrimin e punës së gruas në media dhe mbi të gjitha të largimit të steriotipeve që ekzistojnë në shoqërinë e Kosovës.

Ai kërkoi që RTK të përkrahet nga Kuvendi dhe nga Grupi i Grave Deputete, të cilat janë në një format mbipartiak, si në aspektin e plotësimit të kuadrit ligjor, ashtu edhe për ruajtjen e pavarësisë editoriale, e cila është thelbësore për punën e gazetarëve.