Lajmet e fundit

Kryekuvendari Krasniqi takohet me delegacionin nga organizata “HANDIKOS”

, 10.06.2011




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, kishte sot një takim me delegacionin nga organizata “HANDIKOS”, kryesuar nga drejtori, z. Afrim Maliqi. Me këtë rast ky delegacion e njoftoi kryekuvendarin Krasniqi me angazhimet aktuale të kësaj organizate, e cila funksionon dhe zhvillon veprimtari shumë të frytshme në përballjet e përditshme të personave me aftësi të kufizuara. Organizata “HANDIKOS”, e cila është ndër organizatat më të njohura në Evropën Juglindore, tashmë është në sendërtim e sipër të projektit “Një ambient i përshtatshëm-shoqëri për të gjithë”, i cili është duke u mbështetur nga Komisioni Evropian. Organizata “HANDIKOS” arrin rezultate të rëndësishme në furnizimin e personave me aftësi të kufizuara me pajisje përkatëse, madje pikërisht këto ditë është në rrjedhë ndarja e pajisjeve nga një donacion . Në Kosovë janë evidentuar 18 mijë persona me aftësi të kufizuara, por llogaritet se numri i tyre është shumë më i madh. “HANDIKOS” ka arritur që të punësojë rreth 100 veta.

Një nga synimet e përhershme të kësaj organizate, sipas udhëheqjes së saj, është krijimi i infrastrukturës ligjore për të gjitha kategoritë e personave me aftësi të kufizuara, drejt krijimit të një ambienti sa më të përshtatshëm, të lirë e pa barriera për ta. Në përmbyllje të këtij projekti të gjithmbarshëm, organizata “HANDIKOS” planifikon të organizojë së shpejti edhe një tubim, në të cilin u ftua edhe kryekuvendari Krasniqi.

Duke përgëzuar delegacionin për këto rezultate të rëndësishme që ka arritur në veprimtarinë e deritashme dhe për planet që ka në të ardhmen, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se është i vetëdijshëm edhe për vështirësitë me të cilat ballafaqohet kategoria e personave me aftësi të kufizuara. Kur është fjala për infrastrukturën ligjore të kësaj kategorie të qytetarëve, z. Krasniqi shprehu gatishmërinë për të bashkëvepruar në hartimin dhe miratimin e ligjeve , të cilat do të mundësonin një jetë të dinjitetshme të personave me aftësi të kufizuara. Në këtë vështrim, kreu i legjislativit premtoi se obligimet e veta Kuvendi do t’ i kryejë duke bashkëvepruar me subjektet përkatëse, për të bërë ligj të mirë për të gjitha kategoritë e personave me aftësi të kufizuara, mirëpo ai tha se më parë është i nevojshëm një përcaktim se a do të bëjmë ligje të veçanta për secilën kategori , apo një ligj të përbashkët për të gjitha kategoritë e personave me aftësi të kufizuara.

Kryekuvendari Krasniqi foli edhe për rëndësinë që ka shkollimi i kategorive të personave me aftësi të kufizuara, si dhe për nevojën e sensibilizimit të shoqërisë për një vëmendje të shtuar ndaj tyre.
Kryekuvendari Krasniqi takohet me delegacionin  nga organizata “HANDIKOS”