Lajmet e fundit

Nga dëgjimi publik i Komisionit për Zhvillim Ekonomik...

, 10.06.2011




Për të pasur një pasqyrë më të gjithanshme lidhur me Planin kombëtar të shpërndarjes së spektrit radiofrekuencor, Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion i Kuvendit të Kosovës, mbajti sot dëgjim publik.

Kryetari i Komisionit, Zenun Paraziti, fillimisht sqaroi se Tabela kombëtare e radio spektrit frekuencor është diskutuar paraprakisht në Komision. Por, vazhdoi Pajaziti, duke pasur parasysh rëndësinë e Planit kombëtar të shpërndarjes së spektrit radiofrekuencor, Komisioni vendosi për debat më të gjerë edhe me përfaqësuesit e mekanizmave relevantë të cilët operojnë dhe menaxhojnë me frekuenca difuzive.

Përpos përfaqësuesve të ART-së, përkatësisht drejtorit, Ekrem Hoxha, në takim ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e Këshillit të Pavarur të Medieve, FSK-së, IPKO-s dhe të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Lidhur me Planin kombëtar të shpërndarjes së spektrit radiofrekuencor, drejtori i ART-së Hoxha tha se ky plan për herë të parë në historinë e shtetit të Kosovës është hartuar nga ekspertët e ART-së në bashkëpunim dhe koordinim shumë miqësor me KFOR-in dhe institucionet tjera publike. Tabela kombëtare, vijoi ai, është përpiluar me qëllim që të sigurojë përdorim efektiv të resurseve frekuencore të vendit tonë.

Në vijim, drejtori i ART-së, dha shpjegime lidhur me çështjet e ngritura nga të pranishmit.

Pyetjes se a pritet të ketë operator të tretë (përpos Vala dhe IPKO) , ai iu përgjigj duke thënë se licenca për operatorin e tretë nuk mund të realizohet para periudhës tre vjeçare. Ndërkaq, lidhur me shtrirjen dhe operimin me frekuencat në tërë territorin e Kosovës, Hoxha shprehu bindjen se ajo do të ndodhë në një të ardhme të afërt.

Anëtarët e komisionit dhe të pranishmit, duke vlerësuar se Plani kombëtar i shpërndarjes së spektrit radiofrekuencor i prezantuar nga ART-ja është plan profesionalisht i punuar mirë, përgëzuan hartuesit e tij për punën e bërë. Ata po ashtu thanë se ky plan paraqet shenja të qarta të shtetësisë së Kosovës.
Nga dëgjimi publik i Komisionit për Zhvillim Ekonomik...