Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

, 15.06.2011




Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme ka shqyrtuar disa kërkesa, raporte vjetore dhe projektligje me raporte të komisioneve funksionale.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, prezantoi kërkesën e Ministrisë së Financave për konsultim më Komisionin për Buxhet dhe Financa, lidhur me normat e propozuara nga ministria për vënien e tatimit të akcizës në veturat e importuara. Duke e paraqitur kërkesën, ministri Hamza e arsyetoi atë në katër aspekte: social, buxhetor, të sigurisë dhe ambiental.

Pas diskutimeve nga ana e deputetëve, kërkesa mori përkrahjen e komisionit. Përkrahje iu tha, gjithashtu, edhe kërkesës buxhetore të Kuvendit të Republikës së Kosovës, sipas Qarkores buxhetore 2012/01, rreth të cilës detaje dha Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi.

Në mbledhjen e sotme, të cilën e udhëhoqi kryetarja e komisionit, Safete Hadërgjonaj, debatit iu nënshtrua edhe raporti vjetor i Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, për vitin 2010, të cilin e prezantoi u. d. i kryesuesit të Bordit Udhëheqës të tij, Ymer Havolli. Njëherësh, ai iu dha përgjigje edhe pyetjeve e çështjeve të ngritura nga anëtarët e komisionit, të cilët i dhanë përkrahje raportit me rekomandimin që të miratohet në seancë plenare.

Komisioni, pasi konstatoi se nuk kanë implikime buxhetore, përkrahu këto projektligje, me amendamente të komisioneve funksionale: Projektligjin për shërbimet e sigurisë private, Projektligjin për gjendjen civile, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tregtinë e brendshme, si dhe atë për efiçiencën e energjisë.

U përkrah, gjithashtu, edhe raporti financiar vjetor i Komisionit për Ndihmë Juridike, me të dhënat shtesë, të kërkuara nga komisioni.
Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa