Lajmet e fundit

Nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik ...

, 21.06.2011




Në mbledhjen e  sotme të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Tregti, Industri, Energjetikë, Transport dhe Telekomunikacion të Kuvendit të Kosovës, zv. kryeministrja dhe ministrja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Mimioza Kusari-Lila, foli për hapat e marrë nga Ministria për zhvillimin ekonomik të vendit, dhe masat për debllokimin e barrierave ekonomike.  Me këtë rast, ministrja Lila foli me theks të veçantë për jetësimin e marrëveshjes me CEFTA-n.  

Fillimisht, kryetari i Komisionit, Zenun Pajaziti, falënderoi ministren për prezencën e saj. Në vijim, Pajaziti  siguroi ministren se Komisioni do të punojë dhe bashkëpunojë ngushtë me MTI-në, në mënyrë që të përmbushen obligimet që dalin nga Raporti i Progresit të KE-së.

Ministrja, ndërkaq, duke folur për  përmirësimin e legjislacionit, mjedisin biznesor, dhe krijimin  e kushteve për  investitorët e jashtëm,  jetësimin e marrëveshjes së CEFTA-s e paraqiti si pengesën më të madhe për  zhvillimin e ekonomik. ”Bllokimi i mallrave kosovare në fund të vitit 2008, pati ndikim negativ të menjëhershëm në ekonomin tonë”. Deri në fillim të v.2011, vijoi ajo, kur produktet tona ishin të bllokuara, eksportet e Serbisë janë rritur për 25% (prej 208 në v. 2008, në 260 milion euro në fund të vitit 2010), tha Lila. Kjo situatë, tha Lila, është e papranueshme për Kosovën. Në këtë drejtim, Lila u shpreh se Qeveria e Kosovës do të presë rezultatet e raundit të ardhshëm të bisedimeve të dialogut teknik në mes të Kosovës dhe Serbisë. ”Nëse gjatë raundit të ardhshëm të bisedimeve (në korrik), Serbia se ndryshon vendimin e saj për t’i njohur vulat e Doganave të Kosovës, Kosova do të vendosë masa të plota reciprociteti për produktet me origjinë nga Serbia”, deklaroi ministrja e MTI-së, Lila.   

Në vijim, ministrja foli për Reformat e të Bërit Biznes dhe Strategjinë e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM-ve). Reformat e të bërit biznes të cilat i ka filluar MTI-ja, kanë për qëllim përmirësimin e ambientit biznesor për të gjithë investitorët në Kosovë, tha ajo. Andaj, u shpreh ministrja, MTI-ja është duke rregulluar çështjen e mbylljes së biznesit në kuadër të një reforme më të gjerë e cila përfshinë: regjistrimin e biznesit, lejet e ndërtimit, regjistrimin e pronës, çështjet e kredive financiare dhe mbrojtjen e investitorëve. Ministrja Lila, foli edhe për Kapacitetet Administrative të MTI-së, Barrierat Teknike të Tregtisë, Barrierat Tarifore dhe Jo- tarifore dhe çështje tjera të kësaj fushe.

Në këtë takim, ajo iu përgjigj edhe pyetjeve të anëtarëve të Komisionit. Lidhur me interesimin e tyre rreth rezervave shtetërore, ministrja tha se MTI-ja ka formuar Departamentin e Rezervave të Shtetit, i cili deri në fund të korrikut do të përgatisë planin përfundimtar për rezerva shtetërore. Ajo, po ashtu i njoftoi anëtarët e Komisionit për një vizitë të industrialistëve nga Gjermania të cilët pritet të vizitojnë Kosovën.

Në këtë mbledhje, Komisioni miratoi edhe Raportet me rekomandime të Projektligjit për tregtinë e brendshëme dhe të atij  për efiçiencen e energjisë.

Nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik ...