Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media
, 21.06.2011
Komisioni për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Idriz Vehapi, kryetar i Komisionit, kishte sot një takim me ministrin për Qeverisje Lokale, Sllobodan Petroviq dhe ministrin e Administratës Publike, Mahir Yagcilar, lidhur me përmbushjen e sfidave të dala nga Raporti i Progresit për Kosovën, për vitin 2010.
Ndër sfidat kryesore në këtë Raport për lëmenjtë që përfshijnë këto ministri, janë prezantimi i raporteve që kanë të bëjnë me vlerësimin e kapaciteteve në komuna për të gjitha shërbimet publike, mbikëqyrjen e autoriteteve lokale konform parimeve të Kartës Evropiane për vetëqeverisje lokale, të drejtat e njeriut dhe mbrojtja e minoriteteve, finalizimin e planeve zhvillimore të komunave, që adresojnë objektet e trashëgimisë kulturore, si dhe funksionalizimi i faqeve të internetit, në aspektin se a janë të publikuara informatat në gjuhet zyrtare në mënyrë sistematike. Ndërkaq, kur është fjala për administartën publike ndër sfidat kryesore janë sigurimi i përfaqësimit të mjaftueshëm të komuniteteve pakicë në administratë dhe në shërbimin publik, të drejtat e njeriut dhe mbrojtja e minoriteteve etj.
Duke folur për realizimin e këtyre sfidave nga ana e Ministrisë për Qeverisje Lokale, Sllobodan Petroviq theksoi se gjatë tremujorit të parë të punës së kësaj ministrie janë realizuar objektivat e paraparë. Kjo ministri, tha ai, është në funksion të të gjithë qytetarëve pa dallim, ndërsa puna e saj është transparente. Ministria synon që të jetë afër problemeve jetësore të qytetarëve , për të ndihmuar në zgjidhjen e tyre. “ Kemi formuar ekipe, kemi organizuar takime me qytetarë në 21 komuna të ndryshme të Kosovës.Edhe ne veri kemi biseduar për probleme konkrete, sidomos në infrastrukturë. Jemi të angazhuar për të tërhequr sa më shumë investime nga bota”, tha Sllobodan Petroviq.
Në fjalën e tij ministri Mahir Yagcilar prezantoi disa nga rezultatet e arritura në përfaqësimin e pjesëtarëve të komuniteteve në administratë dhe në shërbimet publike. Ai tha se është arritur kuota prej 10 për qind e përfaqësimit të tyre, ashtu si edhe është e paraparë.
Në debatin e gjerë të anëtarëve të Komisionit u tha se në të gjithë këta lëmenj duhet të zbatohen me përpikëri dispozitat kushtetuese e ligjore, sidomos kur është fjala për përdorimin e gjuhëve, si kur është fjalë për gjuhët zyrtare , ashtu edhe për gjuhët në përdorim zyrtar. Kjo çështje vlerësohej sidomos në aspektin e përdorimit të gjuhëve në uebfaqet e komunave. Ndërkaq, kur flitet për çështjen e përfaqësimit të komuniteteve në shërbimin civil e publik, u tha se duhet pasur parasysh edhe atë se ka raste kur për shkak të mosinteresimit nuk paraqitet asnjë pjesëtar nga komuniteti serb në konkurs, sepse gjithnjë synohen vendet e punës, në të cilat ta ardhurat personale janë më të mira.
Në kuadër të debatit u tha se rezultatet në të gjitha këto segmente nuk mungojnë, por në mungesë të evidencave, përkatësisht të raporteve që do të përfshinin të gjitha të arriturat, rezultatet nuk po gjejnë vend sa duhet në Raportin e Progresit, ndaj duhet të bëhen përpjekje që kjo praktikë në Raportin e ardhshëm të mos ndodh nga faji i mosevidencimit e prezantimit.