Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion

, 21.06.2011




Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Legjislacion, kryesuar nga Arben Gashi, kryetar i komisionit, u shqyrtua raporti i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për vitin 2010.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të Komisionit Qendror Zgjedhor, kryesuar nga kryetarja e KQZ-së, znj. Valdete Daka, e cila para anëtarëve të komisionit parlamentar shpalosi të gjitha aktivitetet e KQZ-së gjatë vitit 2010, si dhe detaje tjera rreth punës dhe angazhimeve të tanishme  të KQZ-së.

Ajo tha se përveç mbajtjeve të zgjedhjeve në vend që janë zhvilluar gjatë vitit të kaluar, KQZ-ja ka organizuar edhe disa misione vëzhguese, duke theksuar se ka vëzhguar zgjedhje në Shqipëri dhe Maqedoni, si dhe ka realizuar disa takime dhe vizita të ndryshme jashtë vendit, me theks të veçantë në Parlamentin Evropian. “KQZ ka qenë e përfaqësuar edhe në grupin punues për zgjedhje në vitin 2010 dhe ka udhëhequr grupin punues për ndryshimin e zgjedhjeve, me ç‘rast janë bërë disa ndryshime për zgjedhjet e përgjithshme, andaj besojmë se edhe në këtë rast KQZ-ja ka dhënë kontribut”, theksoi Daka, e cila para anëtarëve të komisionit tha se është e gatshme që të bashkëpunojnë edhe në komisionin parlamentar për reformën zgjedhore.

Duke përmendur disa nga sfidat me të cilat është ballafaquar KQZ-ja, znj. Daka tha se sfida më e madhe me të cilat është ballafaquar KQZ-ja gjatë zgjedhjeve të fundit, veçanërisht rreth atyre parlamentare ka qenë lista e votuesve, e cila është ekstrakt i regjistrit civil.

Lista e votuesve ka qenë temë diskutimi gjatë këtij takimi mes anëtarëve të komisionit, të cilët kanë kritikuar KQZ-në dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme  lidhur me këtë, e cila ka ngjallur një sërë problemesh gjatë zgjedhjeve në vend.

Prania e  emrave të personave të vdekur në këto lista, mungesa e një mekanizmi efikas ligjor për pastrimin e këtyre emrave, votimi jashtë vendit kanë qenë sfidë e jashtëzakonshme, u theksua gjatë këtij takimi.

Edhe votimi me kusht sipas kryetares së KQZ-së  ka qenë proces i kushtueshëm dhe i panevojshëm, meqë ky votim e komplikon sistemin në aspektin teknik dhe organizativ, gjë e cila ndikon në rritjen e mosbesimit tek qytetarët, si dhe rrit rrezikun e manipulimit.

Sipas përfaqësuesve të KQZ-së, sfidë kryesore ka qenë afati i shkurtër i përgatitjes së zgjedhjeve, ndërkaq sa i përket manipulimeve eventuale, Daka tha se janë evidentuar personat  dhe KQZ-ja nuk ka ndonjë autoritet lidhur me këtë, ngase këtë e bëjnë organet e drejtësisë.

Pasi u ngritën një sërë problemesh gjatë këtij takimi rreth zgjedhjeve të kaluara për të cilat pati mjaft kritika nga ana e anëtarëve të Komisionit, duke u shprehur se vendi është ballafaquar me parregullsi të shumta gjatë këtij procesi zgjedhor, ata kërkuan nga kryetarja e KQZ- që të sqarojë edhe faktin nëse KQZ është e gatshme për zgjedhjet presidenciale që pritet të mbahen vitin e ardhshëm. Megjithatë, ajo shtoi se nuk janë të përgatitur për zgjedhjet presidenciale, meqë shumëçka do të varet edhe nga reforma zgjedhore që është duke u zhvilluar.

Pas shqyrtimit të raportit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për vitin 2010, anëtarët e Komisionit e përkrahën atë dhe mund të procedohet për miratim në seancën plenare.

Në vazhdim të takimit anëtarët e Komisionit përkrahën edhe këto raportet me amendamentet e komisioneve funksionale të këtyre projektligjeve: Projektligjit për Shërbimet e Sigurisë Private, Projektligjit për Gjendjen Civile, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Tregtinë e brendshme, Projektligjit për efiçiencën e energjisë, si dhe Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shoqëritë tregtare.

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion